La Rinconada qyteti më i lartë në botë, ku ari dhe mbijetesa ecin krah për krah
Në një lartësi prej 5,100 metrash mbi nivelin e detit, La Rinconada në Peru konsiderohet qyteti më i lartë në botë. I vendosur mes majave të akullta të Andeve, ky vendbanim i izoluar është shtëpia e më shumë se 50,000 njerëzve, të cilët jetojnë me vetëm gjysmën e nivelit të zakonshëm të oksigjenit.
Kushtet ekstreme kanë bërë që jeta mesatare në La Rinconada të mos kalojë 35 vjet, ndërsa trupat e banorëve besohet të jenë përshtatur duke prodhuar dyfishin e qelizave të kuqe të gjakut për të mbijetuar në këtë mjedis.Megjithatë, banorët nuk jetojnë aty për klimën apo peizazhin – ata shkojnë për arin, pasurinë që i josh të vështirët e fatit drejt kësaj “tokë të mallkuar”.
Eksploratori italian Zaza, i cili vizitoi zonën, e përshkroi La Rinconadën si “një qytet të rrezikshëm dhe të ndaluar për turistët”. Ai tha se vendi është i mbushur me minatorë, por edhe me kriminelë të maskuar, që grabisin dhe zhduken në labirintet e rrugëve të ngushta.
“Është praktikisht një vendbanim i madh i varfër. Ndihem i marramendur. Jemi mbi 5,000 metra lart dhe këtu jetojnë mbi 50,000 njerëz. E pabesueshme”, tha Zaza.
Punonjësit e minierave gërmojnë çdo ditë në kushte ekstreme, duke kërkuar kokrriza ari nëpër gurë. Por puna e rëndë dhe mungesa e shpresës i kanë shtyrë shumë prej tyre drejt alkoolit dhe drogës, që janë bërë pjesë e traditës lokale.
Sipas besimeve vendase, çdo minator duhet t’i bëjë dhurata “xhaxhait” – një hyjnie të vogël që ruan hyrjen e minierave. Ata i ofrojnë cigare, pije dhe dhurata me shpresën se do t’u sjellë fat. Legjenda thotë se kush gjen ar, duhet t’i shpenzojë fitimet për kënaqësi tokësore – përndryshe do të mallkohet.
La Rinconada mbetet një simbol i kontrastit ekstrem midis pasurisë dhe mjerimit, një vend ku ari ndriçon errësirën e jetës njerëzore dhe ku ëndrrat për pasuri shpesh paguhen me shëndet dhe jetë.