Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Kosova, histori suksesi e ndërhyrjes humanitare të NATO-s

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar në diskutimin me temë “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, organizuar në kuadër të Forumit të Paqes që po mbahet në Paris.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se Kosova përfaqëson një histori të dyfishtë suksesi: së pari, si shembull i ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s që ndaloi gjenocidin e kryer nga Serbia, dhe së dyti, si një shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah.

Ai shtoi se, me forcimin e institucioneve shtetërore ndër vite, është ulur gradualisht prania ushtarake ndërkombëtare në vend, ndërsa njëkohësisht është rritur progresi ekonomik.

“Sot Kosova ka Bruto Produkt Vendor (BPV) për kokë banori gjashtë herë më të lartë se në vitin 2000 dhe tri herë më të lartë se në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008. Kosova duhet të shërbejë si shembull se çlirimi dhe pavarësia sjellin edhe përfitime makroekonomike e sociale për të gjithë qytetarët,” thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti theksoi se çdo mision paqeruajtës ka nevojë për vlera të përbashkëta, e jo vetëm për interesa të përbashkëta, duke nënvizuar rëndësinë e multilateralizmit, dialogut, negocimit, pajtueshmërisë dhe arritjes së marrëveshjeve.

Në këtë kuptim, ai përmendi modelin e Bashkimit Evropian si një projekt politik dhe proces historik të paqes dhe prosperitetit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve, kryeministri foli edhe për forcimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke përmendur tri njohjet e reja që vendi ka marrë gjatë këtij viti, si dhe aspiratat për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO, krahas rëndësisë së bashkëpunimit rajonal.