Veterani i UÇK-së që u fjalos me deputeten Pacolli thirret si i pandehur nga Prokuroria
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka ftuar Agim Pllashnikun si të pandehur për t’u paraqitur në Prokurori më 31 tetor.
Pllashniku është ftuar për rastin e deputetes Fitore Pacolli, me të cilën ishte fjalosur në një kafene në Prishtinë, transmeton Zeri.info.
Avokati i Pllashnikut, Gent Gjini, ka thënë për “Zërin” se kjo thirrje është padrejtësi e institucioneve të drejtësisë dhe është aplikim i standardit të dyfishtë.
“Kjo thirrje është padrejtësi e institucioneve të drejtësisë dhe është aplikim i standardit të dyfishtë, pasi në këtë çështje kemi pritur që si e akuzuar të thirret deputetja Fitore Pacolli, kjo pasi në video shihet se si e shtyn qytetarin dhe si e nxit sigurimin e saj që ta sulmojë Agim Pllashnikun”, tha Gjini.
Gjini ka thënë se do të kërkojnë përjashtimin e prokurorisë së Prishtinëz.
“Do të kërkojmë përjashtimin e prokurorisë së Prishtinës në këtë çështje, pasi konsiderojmë se ka ndërhyrje politike në këtë çështje dhe amnistohen figurat politike të partisë së LVV-së”, tha ai. /Zëri