Galeria Kombëtare organizon mbrëmje pikture, krijimtarie dhe shoqërimi

Galeria Kombëtare e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën do t’ua dedikojë mbrëmjen pikturës, krijimtarisë dhe shoqërimit.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se “Takimi Shoqëror për Pikturim” është i hapur për të gjithë të rriturit që duan të eksperimentojnë me ngjyrat, të relaksohen dhe të kalojnë kohë të bukur mes artit dhe bisedave miqësore.

Galeria thekson se për pjesëmarrje nuk kërkohet përvojë e mëparshme në pikturë, “mjafton dëshira për të krijuar dhe për të shprehur veten përmes brushës dhe ngjyrave”.

“Të gjitha materialet do të sigurohen nga ne”, thuhet në njoftim.

Galeria i fton të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë sonte t’u bashkohen nga ora 18:00 deri në orën 20:00.