Barcelona bllokon Yamalin nga paraqitjet publike dhe intervistat
Barcelona ka ndërhyrë për të kufizuar daljet publike të talentit të saj më të madh, Lamine Yamal, pas disa deklaratave të tij që kanë shkaktuar reagime në mediat spanjolle.
Klubi katalanas ka vendosur të anulojë një paraqitje promovuese për kompaninë OPPO, ku adoleshenti duhej të merrte pjesë në prezantimin e serisë “Find X9” në Barcelonë.
Vendimi vjen pas komenteve kontroverse të Yamalit për Real Madridin, të bëra gjatë ndeshjes së Gerard Pique në Kings League javën e kaluar. Sipas raportimeve të Victor Nahe në Directo Gol, “Barça ka folur me agjentët e Lamines për t’u thënë se nuk mendonin se ishte momenti i duhur për ta ekspozuar publikisht. Edhe një intervistë e planifikuar me Sky Italia është anuluar”.
Ky veprim është pjesë e një strategjie të brendshme të klubit për të menaxhuar me kujdes ekspozimin mediatik të 17-vjeçarit, i cili tashmë është bërë një figurë e rëndësishme në ekipin e parë. Barcelona dëshiron të shmangë çdo keqkuptim ose presion të panevojshëm mbi lojtarin, në një fazë ku ai po përpiqet të konsolidohet si titullar.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Yamali e ka pranuar vendimin me mirëkuptim, duke kuptuar se deklaratat e tij të fundit kishin shkaktuar një polemikë të panevojshme dhe nuk i kishin sjellë dobi as atij vetë, as ekipit.
Barcelona, ndërkohë, mbetet e vendosur që të mbrojë imazhin dhe zhvillimin e Lamine Yamalit, të cilin e konsideron si pjesë kyçe të projektit afatgjatë të klubit.