Kurti: Po jetojmë në një kohë kur Evropa është thellësisht e sfiduar

Situata gjeopolitike në Evropë dhe ndikimi në Ballkanin Perëndimor ka qenë temë në diskutimin e organizuar nga Instituti francez “Jacques Delors”, aty ku pjesëmarrës ishte kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas qeverisë, në këtë diskutim në kryeqytetin francez, të tjera tema të diskutimit ishin mbrojtja, të drejtat e njeriut, përfshirë ato të pakicave, si dhe zhvillimet e fundit në vend, aty ku i pranishëm ishte edhe i Dërguari i Posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.

“Po jetojmë në një kohë kur Evropa është e begatë, dhe në të njëjtën kohë thellësisht e sfiduar, duke shtuar se aftësia jonë për të planifikuar në terme afatgjate vazhdimisht po vihet në hije nga realitete të menjëhershme gjeopolitike. Për dekada, jemi udhëhequr nga dëshira për homeostazë, por ky më nuk është realiteti ynë, tha më tej.

“Sistemet që lulëzojnë, qofshin ato institucione, organizata apo shoqëri, evoluojnë përmes cikleve të rendit, çrregullimit dhe rirregullimit, dhe për Evropën, ky ekuilibër i ri kërkon një qëndrim të qartë kundër autoritarizmit dhe përfshirje e qartë e atyre vendeve që mbështesin demokracinë”, është shprehur kryeministri në detyrë gjatë diskutimit në kryeqytetin francez.

Në këtë tryezë Kurti ka folur për Kosovën, duke thënë se duke thënë se vendi ka zhvilluar institucione të forta demokratike.

“Që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 me mbështetjen ndërkombëtare, vendi ynë ka zhvilluar institucione të forta demokratike, ndërkaq gjatë këtij mandati qeveritar, Kosova ka luftuar korrupsionin dhe ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike”, ka deklaruar ai.

Qeveria thotë se ai ka veçuar lajmet se në muajin korrik të këtij viti, Fondi Ndërkombëtar Monetar dhe Banka Botërore hoqën zyrtarisht Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konflikti, “duke u bazuar në përparimin institucional dhe ekonomik të vendit siç reflektohen edhe në rënien e ndjeshme të papunësisë nga afër 26% në më pak se 11%”, ka thënë Kurti.

Tutje, bëhet e ditur se Kurti në këtë diskutim ka folur edhe për politikat sociale. “Nga bërja e arsimit të lartë publik falas dhe ndarja e shtesave për lehona e fëmijë, te skemat e punësimit të të rinjve dhe pensione më të larta, teksa Kosova po përgatitet që të mirëpres Lojërat Mesdhetare 2030 në kuadër të së cilave po bëhen e do të bëhen investimet më të mëdha në infrastrukturën sportive. Sa i përket kësaj të fundit, kryeministri falënderoi Agjencinë franceze për Zhvillim (AFD) dhe përfaqësuesit e saj që ishin aty të pranishëm për mbështetjen dhe bashkëpunimin me institucionet e vendit tonë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkohë, kur ka folur për temën e sigurisë e mbrojtjes, Kurti ka përmendur rritjen e buxhetit për FSK-në.

“Kryeministri nënvizoi vëmendjen që qeveria që ai drejton i ka dhënë mbrojtjes përmes rritjes së buxhetit dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke theksuar se mbrojtja e demokracisë është e pandashme dhe e pandalshme”, ka bërë të ditur Qeveria.