AAK-ja dhe LVV-ja në Junik bëjnë koalicion për garën e balotazhit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje për raundit t dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Junikut.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i degës  së AAK-së në Junik, Leonard Llolluni.

Agron Kuçi, kandidat i AAK-së për kryetar në këtë komunë më 9 nëntor do të përballet në balotazh me kandidatin e LDK-së, Ruzhdi Shehu.

“Sot, në Junik, kemi arritur një marrëveshje bashkëpunimi mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Kjo marrëveshje është rezultat i vullnetit të përbashkët për të bashkuar forcat në dobi të qytetarëve tanë, me synimin për të krijuar një qeverisje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme. Ne jemi zotuar që, pas fitores në balotazh, të punojmë për zhvillimin ekonomik të Junikut, përkrahjen e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve komunale, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi çdo interes partiak”, ka njoftuar Llolluni në “Facebook”.

Në raundin e parë, kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu ka marrë 1,807 vota apo 48,89%, i dyti është, Agron Kuçi me 1,473 vota apo 38,88%, ndërsa kandidati i LVV, Jetmir Tofaj ka marrë 436 vota apo 11,80%.