Grokipedia nis operimin, rivali i drejtpërdrejtë i Wikipedia-s

Miliarderi Elon Musk filloi operimin e enciklopedisë e tij online për të konkurruar me Wikipedia-n, të cilën ai e akuzon se kontrollohet nga aktivistë të ekstremit të majtë. Versioni 0.1, që tashmë ka gati 900 000 përkufizime, gjeneron përmbajtjen e tij duke përdorur inteligjencën artificiale (IA).

Një javë më parë, sipërmarrësi vendosi të shtyjë hapjen e Grokipedia-s, të njoftuar në fund të shtatorit, me disa ditë, një vonesë e justifikuar nga nevoja për të kryer punë shtesë për të spastruar propagandën.

Ashtu si zyrtarët republikanë, Elon Musk ka kritikuar rregullisht Wikipedia-n për disa vite.

Në vitin 2024, ai e akuzoi faqen se ishte e kontrolluar nga aktivistë të ekstremit të majtë dhe bëri thirrje që njerëzit të ndalonin së dhuruari për platformën.

“Qëllimi i Grokipedia është e vërteta dhe asgjë tjetër përveç së vërtetës”, tha Elon Musk, i cili theksoi se softueri i enciklopedisë ishte me burim të hapur, pra, kushdo mund ta përdorë atë falas.

E themeluar në vitin 2001, Wikipedia është një enciklopedi bashkëpunuese e drejtuar nga vullnetarë, kryesisht e financuar nga donacionet dhe faqet e së cilës mund të shkruhen ose redaktohen nga përdoruesit e internetit.

Ajo pretendon se ka pikëpamje neutrale në përmbajtjen e saj.

Përmbajtja e Grokipedia-s gjenerohet nga inteligjenca artificiale (IA) dhe asistenti gjenerues i IA-së Grok, por gjithashtu citon burime të shumta në secilën faqe.

Krijimi i Grokipedia-s u vlerësua nga disa figura të krahut të djathtë, përfshirë ideologun ultranacionalist rus Alexander Dugin, i cili e përshkroi Grokipedia-n si neutrale, objektive dhe të drejtë, ndërsa Wikipedia-n si shpifëse.