Kosova U-17 realizon fitore bindëse ndaj Azerbajxhanit

Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka vazhduar me formë të shkëlqyer në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2026, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në Grupin B të Ligës B.

Ndeshjet e këtij grupi po zhvillohen në Moldavi, ndërsa pas triumfit në ndeshjen hapëse ndaj Moldavisë, vajzat dardane të udhëhequra nga përzgjedhësja Sanije Krasniqi kanë shënuar fitore plotësisht të merituar ndaj Azerbajxhanit, me rezultat 6:0.

Kosova dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund, duke imponuar lojën e saj dhe duke krijuar shumë raste shënimi. Golat për Dardanet U17 i realizuan Anisa Meha (8’, 57’-p), Reina Halili, Jonida Godeni (33’), Krenare Kelmendi (34’) dhe Ema Maliqi (48’).

Pas ndeshjes, përzgjedhësja Sanije Krasniqi u shpreh tejet e kënaqur me performancën e vajzave:

“Ishte një ndeshje shumë e mirë nga ekipi ynë. E dominuam kundërshtarin në çdo aspekt të lojës dhe e menaxhuam ndeshjen me pjekuri. Jam e kënaqur që vajzat reaguan mirë pas ndeshjes së parë dhe i përmirësuan dobësitë që i kishim vërejtur ndaj Moldavisë, ku humbëm shumë raste shënimi. Sot treguam efikasitet të lartë dhe disiplinë taktike. Më gëzon fakti që të gjitha vajzat patën mundësi të luajnë dhe të japin kontributin e tyre. Tani do të fokusohemi në ndeshjen e fundit ndaj Uellsit, ku do të kërkojmë maksimumin për ta siguruar kualifikimin tutje”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, Anisa Meha, e cila realizoi dy gola në këtë fitore vuri në pah frymën ekipore në arritjen e këtij suksesi.

“Ishte një ndeshje shumë e mirë për ne. Luftuam me zemër dhe për njëra-tjetrën në çdo moment të lojës. Ky përkushtim na ndihmoi ta arrijmë rezultatin që e dëshironim.

Jam shumë e lumtur për dy golat e shënuar, por mbi të gjitha për mënyrën se si luajti ekipi. Sot u treguam më të qeta dhe më efikase para portës kundërshtare. Besoj se edhe në ndeshjen e fundit kundër Uellsit do të japim maksimumin dhe do të arrijmë një tjetër fitore për ta përmbyllur këtë fazë me sukses”, tha ajo.

Do të jetë pikërisht ndeshja e fundit Kosovë - Uells, ajo që do të përcaktojë se cila prej këtyre dy kombëtareve do të arrijë pozitën e parë në grup.