Spiropali: Shqipëria pritet me besim dhe trajtohet me respekt në BE
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se Shqipëria po trajtohet me respekt dhe besim në Bruksel, si një vend që po përmbush me rezultate konkrete angazhimet e saj për integrimin evropian.
Në një takim me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, një nga mbështetëset kryesore të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, Spiropali bën me dije se u analizua ritmi i negociatave, zbatimi i reformave dhe pritshmëritë për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit.
“Në Bruksel, Shqipëria pritet me besim dhe trajtohet me respekt. Analizuam me Komisioneren Kos ecurinë e negociatave dhe rezultatet e reformave. Krenare që Shqipëria veçohet si vendi ku premtimet dhe angazhimet nuk janë fjalë, por vepra”, u shpreh Spiropali.
Ministrja theksoi se evidencë e qartë e këtij progresi është disbursimi i 100 milionë eurove nga Komisioni Evropian, në kuadër të Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, pas vlerësimit pozitiv të reformave strukturore që po zbaton vendi.
Reformat e ndërmarra përfshijnë rritjen e konkurrueshmërisë, zhvillimin e qëndrueshëm, integrimin ekonomik, si dhe fushat e energjisë dhe digjitalizimit.
“Kjo është një tjetër provë se Shqipëria jo vetëm po investon efektivisht dhe me përfitime reale për qytetarët, por po ndërton një shembull të angazhimit për ndryshim dhe integrim në rajon”, tha Spiropali. /rtsh