Nelly Furtado tërhiqet përkohësisht nga skena
Këngëtarja kanadeze Nelly Furtado ka zbuluar se do të tërhiqet për një periudhë të pacaktuar nga koncertet dhe turnetë, sipas “The FoxNews”.
Ylli i hitit “I’m like a bird” e bëri njoftimin në një postim në Instagram.
“Kam vendosur të largohem nga performancat për një të ardhme të afërt dhe t’i përkushtohem disa projekteve të tjera krijuese dhe personale që përputhen më shumë me këtë fazë të jetës sime”, shkroi ajo.
Artistja kanadeze falënderoi fansat dhe bashkëpunëtorët e saj “për gjithë këto vite argëtimi, komuniteti dhe mrekullie” që nga publikimi i albumit të saj debutues “Whoa, Nelly” në vitin 2000.
“E kam shijuar jashtëzakonisht karrierën time dhe vazhdoj ta dua shkrimin e muzikës, të cilin gjithmonë e kam parë si një hobi që pata fatin ta ktheja në profesion. Do ta identifikoj veten përgjithmonë si kantautore”, shtoi ajo.
Furtado dha edhe një mesazh inkurajues për artistët e rinj, duke u uruar “shumë vite performancash frymëzuese e plot pasion”.
Edhe pse fituesja e “Grammy-t” po largohet nga skena, muzika e saj vijon të njihet nga gjeneratat e reja përmes rrjeteve sociale. Në gusht, për E! News, ajo u shpreh:
“Është surrealiste dhe gëzim i madh të shoh kaq shumë njerëz që rizbulojnë muzikën time. Ka qenë fantastike t’u rikthehesha skenave dhe të shihja nga afër fuqinë e qëndrueshme të muzikës së mirë. Më ka bërë të besoj vërtet te magjia”,u shpreh ajo në gusht, për “E! News”./atsh