Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në Han të Elezit, të dyshuarit ikin
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në rajonin kufitar të Hanit të Elezit. Sipas njoftimit zyrtar, njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale Kufitare – Lindje nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit kanë ndërmarrë një aksion operativ të premten mbrëma, i cili ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme mallrash të kontrabanduara.
Rreth orës 19:00, policia ka vërejtur një automjet të tipit kombi-furgon pa targa regjistrimi, që kishte hyrë nga Maqedonia e Veriut në territorin e Kosovës përmes një rruge ilegale. Pavarësisht urdhrave për ndalim, drejtuesi i automjetit nuk është ndalur dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një hendek.
Dy personat e dyshuar që ndodheshin në automjet kanë arritur të largohen në drejtim të Maqedonisë së Veriut, duke braktisur mjetin e tyre.
Gjatë kontrollit të furgonit, policia ka zbuluar mallra që dyshohet se janë kontrabanduar, përfshirë këpucë për meshkuj e femra të markave të ndryshme, mjete pune, kasaforta dhe veshje të ndryshme.
Me urdhër të prokurorit kompetent, automjeti dhe mallrat e gjetura janë konfiskuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit. Mallrat do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive ilegale dhe ruajtjen e integritetit kufitar të vendit, në bashkëpunim me agjencitë tjera ligjzbatuese./Zëri