Kontroll i befasishëm në burgun e Durrësit, gjenden 5 celularë iPhone

Një kontroll i befasishëm është zhvilluar në burgun e Durrësit, pas informacioneve për lëndë narkotike, telefonë apo sende të tjera të ndaluara.

Sipas informacioneve, dhjetëra efektivë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve po zhvillojne kontrolle në ambientet e brendshme të burgut ku ndodhen të paraburgosur dhe të burgosur mes të tjerëve, politikanë, individë me rrezikshmëri të lartë e deri tek krerët e bandave.

Policia bën me dije se nga kontrollet janë gjetur 5 telefona iPhone.

Telefonat dyshohet se i përkasin të dënuarit Flamur Kapri. Më tej bëhet me dije se telefonat janë gjetur të fshehur në dyer e dusheve në katin e tretë të Godinës “A”. Kontrollet në ambientet e burgut po vijojnë për gjetjen e sendeve të tjera të ndaluara.

“Në orët e mëngjesit të sotëm, forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë zhvilluar një kontroll të befasishëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës.

Gjatë kontrollit janë gjetur pesë aparate telefoni celular të markës iPhone, të cilat përbëjnë sende të ndaluara në ambientet e institucionit. Sendet janë gjetur të fshehura në dyert e dusheve (ambient i përbashkët), në Godinën “A”, kati i tretë, Sektori 1.

Dyshohet se këto telefona i përkisnin të dënuarve me inicialet F. K., A. P. dhe V. I. Në lidhje me rastin, po vijon puna hetimore për identifikimin e plotë të personave përgjegjës dhe mënyrën se si janë futur sendet e ndaluara në institucion”, thuhet në njoftim.