Cindy Crawford flet për guximin, bukurinë dhe lirinë e moshës: Mos kini frikë nga vitet
Çfarë mënyre më të bukur për ta festuar 20-vjetorin e C Magazine sesa me supermodelen që përcaktoi një epokë në historinë e modës – Cindy Crawford, në shtëpinë legjendare të Hollywood-it, Paramount Studios
Njerëzit e pyesin shpesh Cindy-n për mësimet që ia ka përcjellë vajzës së saj, Kaia Gerber, nga një karrierë që ka zgjatur mbi katër dekada. Ajo qesh kur thotë se këshilla si “shko gjithmonë në kohë” apo “lëre telefonin anash” janë ato që më së shpeshti e bëjnë vajzën të rrotullojë sytë. Por Cindy beson se shembulli personal është më i fuqishëm se çdo fjalë.
Kështu ka bërë gjithmonë –edhe kur së fundmi pranoi të këndonte “Take Me Out to the Ballgame” në mes të një ndeshjeje të Chicago Cubs përkrah mikut të saj, Eddie Vedder nga Pearl Jam, përpara 40 mijë tifozëve. “Unë nuk këndoj fare”, tregon ajo me të qeshur. “Por vajza më tha: ‘Mam, është kaq cool që e bëre.’ Ajo e di që nuk jam rehat me gjëra të tilla, por e kupton që edhe sot marr guxim të dal nga zona ime e rehatisë. Dhe kjo ka vlerë.”
Në fakt, Cindy Crawford ka qenë gjithmonë më pak “e paarritshme” se koleget e saj. Në kulmin e famës, ajo bëri hapa që shumë supermodele të tjera s’do t’i merrnin, një reklamë për Pepsi, një pozim për Playboy, një program televiziv në MTV. “Playboy ishte një hap larg nga rruga klasike e modelimit,” kujton ajo. “Agjenti im nuk donte ta bëja, as babai im. Por unë e dija se ishte me Herb Ritts dhe ishte një mënyrë për të arritur një audiencë tjetër. Kështu arrita në MTV” .