Anija ruse ankorohet pranë bregut të Gjermanisë, NATO-ja shqetësohet

Anija e madhe e Marinës Ruse është ankoruar pranë bregut të Gjermanisë në Detin Baltik, gjë që ka shqetësuar vendet anëtare të NATO-s, të cilat tashmë janë në gatishmëri për shkak të shkeljeve të përsëritura ruse të hapësirës ajrore të Aleancës.

Bëhet fjalë për anijen të Flotës Baltike ruse “Aleksandar Shabalin”, e cila gjashtë ditë më parë hodhi ankorën pranë hyrjes së gjirit të Lübeckut. Ajo është pozicionuar në një rrugë të rëndësishme detare drejt ngushticës Fehmarn Belt, një rrugë kyçe që lidh Detin Baltik me Detin e Veriut dhe është e dukshme nga ishulli gjerman Fehmarn. Anijen ruse e mbikëqyr anija patrulluese gjermane “Bamberg” dhe patrullat daneze, ndërsa Marina Gjermane ka dërguar nga porti i Kielit edhe anijen e mbështetjes “Werra”. Policia gjermane ka konfirmuar se “Shabalin” ndodhet jashtë ujërave territoriale gjermane, dhe për këtë arsye nuk shkel ligjet kombëtare apo rregullat ndërkombëtare detare.

Kjo nuk është hera e parë që anija vihet re në këtë zonë. Në shtator ajo ankoroi pranë hyrjes së ngushticës daneze Langeland, dhe më vonë gjatë atij muaji u vërejtën dronë të paidentifikuar mbi një bazë ushtarake daneze ndërsa anija ruse ishte në afërsi. Megjithatë, nuk u gjet asnjë provë që lidhte anijen me atë incident. /abcnews