Roma mposhtet në shtëpi nga Viktoria Plzen

Roma është mposhtur në shtëpi me rezultat 2-1 nga Viktoria Plzen në kuadër të rrethit të tretë të Ligës së Evropës.

Golin e epërsisë mysafirët e realizuan në minutën e 20-të përmes Prince Adu, i cili pas një aksioni individual realizoi një gol të bukur për 1-0.

 Nuk vonoi shumë dhe Plzeni gjeti edhe golin e dytë, kësaj radhe përmes Cheick Souare i cili në minutën e 22-të realizoi një gol spektakolar nga distanca për 2-0.

Me të filluar pjesa e dytë, Roma fitoi penallti pas rishikimit të aksionit nga gjyqtari në VAR.

I saktë nga pika e bardhë u tregua Paulo Dybala i cili në minutën e 54-të realizoi për 2-1 për të rihapur sfidën.

‘Giallorossët’ patën një mundësi të mirë me Leon Bailey (86’) por goditja e tij nga distanca përfundoi shumë pranë shtyllës së majtë.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndonjë rast për t’u veçuar dhe kështu mysafirët menaxhuan mirë epërsinë e krijuar në pjesën e parë.

Pas kësaj humbje Roma zbret në pozitën e 23-të dhe ka vetëm tri pikë të grumbulluara.