Ngritja e çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës po monitoron 25 produkte

Rreth 25 produkte ushqimore po monitorohen nga Autoriteti i Konkurrencës për shkak të ngritjes së çmimeve. Nga ana tjetër, derisa qytetarët po vazhdojnë të ankohen se çmimet e produkteve bazike janë shumë të larta, njohësit e ekonomisë paralajmërojnë ngritje edhe në muajt në vijim.

Konsiderohet si një nga produktet esenciale për shumë familje. Çmimi i një litri qumësht në dyqanet në Kosovë po sillet nga rreth 1 euro e 20 centë deri në 1 euro e 70 centë.

Për shportën e konsumatorit, gjërat esenciale si 1 kilogram miell, 1 litër qumësht, 1 litër vaj e 1 kilogram sheqer po kushtojnë mbi 5 euro.

Për çmimet janë ankuar qytetarët, mirëpo çmimet e larta prodhuesit po i arsyetojnë me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Ka dominuar ngritja e çmimit të rrymës në sektorin tonë, për arsye se na e kanë ngritur koston bukur mirë të produktit të qumështit. Neve na është imponuar me çdo kusht që ne t’i ngrisim çmimet”, tha Gani Durmishi, pronar i një qumështoreje.

Por, a po e monitoron dikush këtë ngritje të çmimeve?

“Gjatë vitit 2025 kemi filluar me një analizë të produkteve ushqimore bazike. Kemi diku 25 produkte ushqimore bazike, të cilat jemi në vazhdimësi duke i monitoruar dhe shqyrtuar ndryshimet e çmimeve të tyre. Produktet që jemi duke i analizuar e monitoruar janë djathi, vezët, qumështi, e produktet të cilat janë të domosdoshme për familjet”, tha Adrian Mustafa, inspektor hetues në Autoritetin e Konkurrencës.

Mustafa ka treguar se po bëjnë edhe avokim te bizneset për veprimet të cilat ata nuk kanë të drejtë t’i ndërmarrin.

“Jemi duke bërë avokim në të gjitha ndërmarrjet që merren me këtë veprimtari. Avokim për ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, për veprimet që ata nuk duhet t’i bëjnë dhe për veprimet që çojnë deri në shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.”

Megjithatë, kjo analizë që po bëhet nga Autoriteti i Konkurrencës thuhet se do të marrë kohë.

Ndërsa, nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë nuk kanë treguar nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim për monitorimin e tregut.

Njohës të ekonomisë thonë se në këtë situatë është e rëndësishme që të ngrihen pagat e punëtorëve.

“Nëse bashkohet gjithë ai investim në punësim, rritje pagash, atëherë sigurisht që ka një lloj qëndrueshmërie të mbijetesës. Faktikisht, pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës janë duke mbijetuar me pagat që i kanë, një pagë mesatare rreth 500 euro”, tha Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.

Në shtator të këtij viti, çmimet e konsumit në vend ishin për 4.7% më të larta se në muajin e njëjtë të vitit të kaluar./rtk