Merz: Migrantët, pjesë e shoqërisë sonë
Një deklaratë e kancelarit lidhur me migracionin ngjalli shumë kritika, edhe për arsye se formulimi i tij ishte i paqartë. Tani Merz e konkretizoi se çfarë ka parasysh me formulimin “problem në imazhin e qytetit”.
Pas kritikave ndaj deklaratës së tij që përmbante një formulim të paqartë me problemin në “imazhin e qytetit” kancelari Friedrich Merz gjatë një vizite në Londër e precizoi për herë të parë, se çfarë ka parasysh me këtë formulim. Politikani kristiandemokrat theksoi nga njëra anë, se Gjermania edhe në të ardhmen do të ketë nevojë për migracionin kryesisht në tregun e punës.Nga ana tjetër ai për herë të parë shpjegoi, se çfarë e shqetëson atë në imazhin e qytetit: Migrantët pa leje qendrimi dhe të papunë, të cilët nuk respektojnë rregullat e vlefshme në Gjermani. Këta pjesërisht karakterizojnë një imazh publik në qytete, tha Merz.
Sipas tij imazhe të tilla ka në zona të caktuara si në stacionet e trenit, të metrosë, nëpër parqe, në lagje të tëra, që “edhe policisë sonë u krijojnë probleme të mëdha”. “Ne edhe në të ardhmen kemi nevojë për migracionin. Kjo vlen si për Gjermaninë edhe për vende të tjera të Bashkimit Europian. Ne kemi nevojë për migrantët kryesisht për tregjet tona të punës , tha kancelari në kuadrin e samitit të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin britanik. Qysh sot njerëzit me prejardhje migracioni janë “pjesë e domosdoshme e tregut tonë të punës”. “Ne nuk mund të heqim dorë prej tyre, pavarësisht se nga vijnë, çfarë ngjyre lëkure kanë, ose nëse jetojnë e punojnë në Gjermani në brezin e parë, të dytë apo të tretë.”
Petitioni, kundër deklaratës së Merzit
Merz gjatë ditëve të fundit është kritikuar shumë në Gjermani lidhur me deklaratën e tij për temën e migracionit: “Në imazhin e qytetit ende është ky problem”. I pyetur, se çfarë ka parasysh me këtë, gjatë një konference shtypi ditë më pas, Merzi u përgjigj: “Pyesni njëherë vajzat tuaja.” Kundër kësaj deklarate mbi 120.000 vetë brenda 24 orësh nënshkruan një peticion me titullin “Ne jemi vajzat”. “Ne jemi vajzat dhe nuk lejojmë të tërhiqemi prej racizmit tuaj, zoti Merz! Ju nuk flisni në emrin tonë”, deklaroi iniciatorja e peticionit Cesy Leonard.
“Ne kemi një problem strukturor me dhunën ndaj gruas – pothuajse gjithmonë kjo ndodh brenda mureve të shtëpisë. Dorasit nuk janë ndonjeri nga ‘imazhi i qytetit’, por janë bashkëshortët,, baballarët ose (ish)partnerët.” Kërkesa: “Shpalleni mbrojtjen nga dhuna në familje si çështje prioritare dhe pranoni më në fund klasifikimin e femicidit si akt penal.” Të martën në mbrëmje (21.10.202) disa mijëra vetë demonstruan përpara selisë së partisë kristiandemokrate në Berlin nën moton “Ne jemi vajzat”. Manifestime të tjera janë planifikuar edhe në Kiel dhe në Këln.
Kritika nga DIW dhe Diakonia
Edhe nga politika dhe ekonomia ka pasur reagime. Ndër to Instituti Gjerman për Studimet Ekonomike (DIW): “Deklaratat e tij të fundit e thellojnë polarizimin shoqëror dhe shkaktojnë dëm të madh ekonomik”, tha presidenti i DIW Marcel Fratzscher për gazetën Handelsblatt. “Mesazhi i kancelarit zbeh kulturën e mirëseardhjes në Gjermani dhe do të ndikojë në përkeqësimin e situatës me mungesën e forcave të kualifikuara të punës në Gjermani.”
Presidenti i Diakonisë, Rüdiger Schuch, theksoi, se njerëzit e migruar prej dekadash janë “pjesë e vetëkuptueshme e imazhit të qyteteve tona”. “Ata janë pjesë e jona me sipërmarrjet, kulturën e tyre ashtu edhe si kolege e kolegë në vendin e punës, si fqinjë edhe më shumë se kaq.” Problemet duhen adresuar, “por ato duhen zgjidhur bashkarisht me një politikë profesionale, pa polemikë dhe me respekt të ndërsjelltë”.
SPD-ja reagon me distancë ndaj deklaratës së Merzit
Partia socialdemokrate (SPD) që bashkëqeveris me kristiandemokratët e kancelarit është distancuar nga deklarata e Merzit. “Ne si politikanë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, se çfarë diskutimi nxisim, kur fillojmë sërish të diferencojmë me ‘ne’ dhe ‘ata'”, tha zëvendësklancelari Lars Klingbeilduke folur në kongresin e sindikatave IG BCE. “Unë dua të jetoj në një vend, ku të mos vendosë pamja e jashtme, nëse i shkon ose jo imazhit të qytetit. Kryeministri i landit të “Renania-Palatinate’, socialdemokrati Alexander Schweitzer në radion rbb24 e kritikoi Merzin, se po u shkakton pasiguri njerëzve. Shumë pyesin, nëse ai u është adresuar atyre personalisht dhe ndihen të prekur e të indinjuar: “Unë besoj, që është detyrë edhe e kancelarit, ose t’i shpjegojë qartë fjalët e tij, ose t’i shoqërojë me propozime politike”.
Kritika sporadike dhe mbështetje nga radhët e veta
Nga radhët e partisë CDU/CSU kancelari gjen mbështetje, por ka pasur edhe kritika të veçanta si dhe kërkesën për më shumë qartësi. Ish-kandidati për kancelar i CDU-së Armin Laschet u shpreh, se deklarata e kancelarit ishte “shumë e mjegullt”. Kryetari i grupit parlamentar të kristiandemokratëve Jens Spahn e mbrojti Merz-in: “Kancelari shprehu diçka, që kushdo e sheh, nëse del në Duisburg, ose edhe nëse kalon në ndonjë qytet gjerman jo shumë të madh. Migracioni i parregullt ka ndryshuar diçka”, i tha Spahn gazetës Bild. Kryesisht nëpër stacione trenash, sipas Spahn: “Degradim, kontrabandistë droge, djem të rinj, kryesisht me prejardhje migracioni, kryesisht nga Europa Lindore ose nga hapësira kulturore arabo-myslimane.” Kjo ka të bëjë edhe me migracionin e parregullt.
Politikani kristiansocial (CSU) kryebashkiak i Nyrenbergut Marcus König e mbështeti Merz-in. Ai e konsideron të gabuar diskutimin. “Nuk bëhet fjalë për dikë, që prej vitesh është këtu e jeton këtu. Ata janë pjesë e shoqërisë sonë”, tha ai në radion Bayrische Rundfunk. “Fjala është për njerëz, që ne po përpiqemi prej vitesh t’i kthejmë me të gjitha mënyrat, sepse ata ose kanë kryer vepra penale, ose u ka skaduar afati i lejes së qendrimit”. /DW