Pallati i Drejtësisë për disa minuta në terr, disa seanca u ndërprenë përkohësisht

Pallati i Drejtësisë edhe të enjten mbeti në terr për disa minuta, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Kjo bëri që disa seanca gjyqësore të ndërpriten, duke lënë mundësinë e vazhdimit në rast se kthehet furnizimi me rrymë.

Ndërprerja e rrymës bëri të ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për masakrën e Izbicës, Muhamet Alidemaj - rast i cili është kthyer në rigjykim. Seanca pritet të vazhdojë pasi furnizimi me rrymë është kthyer.

Njëjtë ndodhi edhe me rastin e 400 kilogramëve kokainë, ku akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi. Edhe kjo seancë u shty për pak momente dhe tani po vazhdon pas kthimit të energjisë.

Disa seanca tjera, sikurse ishte ajo për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit nën dyshimin për dallavere me tenderë, u vendos të mbahet në zyrë të gjyqtarit, për shkak se në sallën e paraparë s’kishte kushte në mungesë të energjisë.

“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në KEDS për të kuptuar nëse këto ndërprerje të kohëpaskohshme në Pallatin e Drejtësisë janë për shkak të punimeve të planifikuara apo për çfarë arsye po ndodhin. Lajmi do të përditësohet pas pranimit të përgjigjes.