Sali Bashota rikthen Servantesin në letrat shqipe

Romani Rikthimi i Servantesit në Ulqin, i autorit Sali Bashota, botuar nga shtëpia botuese Rea, Prishtinë, 2025, është një ndër veprat më origjinale të prozës së sotme shqipe. Me 170 faqe sa i ka dhe i vendosur në kategorinë e romanit poetik, kjo vepër reprezanton sintezën më të zgjedhur në mes të historisë, mitit dhe legjendave mesjetare, duke ndërtuar një univers letrar ku imagjinata dhe dokumenti historik jetojnë në një harmoni estetike të rrallë.

Në esencë, romani Rikthimi i Servantesit në Ulqin mbështetet mbi një hipotezë biografike e historike, se shkrimtari i madh spanjoll, Miguel de Servantes, autori i Don Kishotit, gjatë burgosjes së tij në fund të shekullit XVI, mund të ketë qenë i zënë rob nga një shqiptar, i njohur si Memë Arnauti, me emer personal dhe me mbiemër një etnonim të vjetër që përdorej në Mesjetë, në periudhën osmane, për të treguar një shqiptar (nga turqishtja osmane Arnavut), i cili ishte komandant i anijes pirate, e që u kap në dallgët detare, pikërisht më 1575.

Mu nga kjo ‘pistë’ Bashota krijon një narrativë sa fiksionale, po aq edhe dokumentare për (ri)kthimin e Servantesit në Ulqin, vendin ku dikur ai kishte përjetuar robërinë, vetminë, përsiatjet për shkrimin, idetë dhe skemat për veprat e mëdha. Ky (ri)kthim nuk është vetëm fizik, por  edhe spiritual e poetik, për të kërkuar dorëshkrimin e humbur, një metaforë e madhe kjo, se si autori i kthehet kujtesës letrare ndërnacionale, po edhe historisë dhe arkigjenezës së etnikumit shqiptar.

Rikthimi i Servantesit në Ulqin, nuk është poemë narrative (alla Bajron, a Pushkin), por një alegori e artit dhe simbolikë e kujtesës. Bashota, përmes një gjuhe përplot me figura poetike, ndërton një fabul filozofike mbi dilemat e krijuesit; Servantesi ndodhet përballë dashurisë për shkrimin dhe dashurisë për Dulqinjen, figurë që përfaqëson njëkohësisht femrën, muzën, por edhe idenë e së bukurës si kategori estetike dhe bukurisë (shqiptare) si kategori fizike. Kjo përleshje  introservantesiane, e krijuesit dorëkëputur, modelohet në një autoreflektim për artin, po edhe i jep kahje dyplanëshe fatit dhe fatumit të njeriut krijues.

Rikthimi i Servantesit në Ulqin është sistemuar në 33 rrëfime, numër që konoton me simbologjinë e Dantes, konkretisht me strukturën e Komedisë…, si dhe me simbolikën numerike të  9-shit (nëntë intermexo), që evokon motive të mitologjisë shqiptare, më saktë strukturën baladeske me shenja melodramatike. Këto njësi rrëfimore janë të lidhura mjeshtërisht përmes hipernarratorit Ar Ulku, një figurë simbolike, e cila përfaqëson zërin e dijes universale.  

Pas çdo rrëfimi integrohet një intro autoriale, një fjali ose paragraf i shkurtër me karakter refleksiv, që i jep veprës një ton eseistik, parashikues e paralajmërues, me trajta të proleksave narrative prozaike.

Mbi të gjitha, gjuha e Bashotës është e kultivuar, poetike dhe filozofike. Ai përdor një leksik të pasur historik, të mbrujtur me terminologji specifike të kalorësisë, të detarisë, të piraterisë dhe të komunikimit të shekullit XVI, duke dëshmuar erudicion dhe kulturë letrare e historiografike. Fjalitë e tij, rrallë herë të gjata, të nënrenditura dhe të bashkërenditura me filozofema, shpejt përthyhen në fraza të shkurtra, diskurs eliptik, apo edhe fjali njëkryegjymtyrëshe, që formësojnë një ritëm poetik  par excellence. Kjo mënyrë shkrimi e kthen romanin në një poemë në prozë, ku çdo fjali mund të lexohet si alegori, edhe  si doktrinë për jetën e mendimin estetik eternal.

Rikthimi i Servantesit në Ulqin është një roman për letërsinë, një kryevepër e re që flet për procesin e krijimit, mitin e shkrimtarit, kulturën dhe kultin e autorit, qytetërimin dhe brengën evropiane. Përmes ndërthurjes së fakteve historike me elemente fiksionale, Bashota hyn në dialog me traditën e letërsisë kalorsiake dhe rilindase, duke rikrijuar figurën e Servantesit si një simbol e simbolikë të artit që sfidon kohën, burgun dhe harresën. Në këtë kontekst, romani bëhet një arkeologji e kujtesës kulturore, ku gëlojnë toponimia e Ulqinit, historia e piraterisë dhe mitet mesdhetare. Së këndejmi, duhet thënë se, letërsia shqipe, nuk e ka pasur një model të romanit të tillë as për objektivimin tematik, as për nominim zhanror, për çfarë luan me thellësi estetike, duke krijuar një enciklopedi të formave letrare, ku ndërthuren elementi narrativ i romanit klasik me letërsinë  kalorsiake, poezia me prozën, eseja filozofike me fragmentet pikante gnomike.

Rikthimi i Servantesit në Ulqin është një roman për kujtesën, artin dhe identitetet kulturore, një udhëtim poetik ndërmjet faktit dhe fiksionit, ku Sali Bashota e konverton personazhin kryesor, Servantesin, në një simbol të kërkimit të lirisë shpirtërore.

Bashota, me gjuhën e tij të pasur, strukturën simbolike, ndërthurjen e zhanreve, afirmon një nivel të lartë estetik me poetikë shumëfishe.

Ndaj, Rikthimi i Servantesit në Ulqin edhe pse është romani i parë i Bashotës, qindra proza poetike, të shkruara dhe të botuara në këto dy dekadat e fundit, duket se ia kanë shtruar  rrugën fort e mirë një kryevepre si kjo, që lidh kohë, modele, zhanre, autorë, vepra dhe histori ndërkulturore e ndërnacionale.

/kultplus