Çfarë ndodhi me Bibliotekën e Aleksandrisë? Këto janë teoritë

Teksa flakët përpinë Bibliotekën e Aleksandrisë, depoja më e madhe e dijes njerëzore në botën e lashtë u zhduk. Por kush e ndezi shkrepësen? Është një nga pyetjet më "të flakta" të historisë, dhe me arsye të mirë, biblioteka ishte një nga institucionet më të rëndësishme të historisë në arsim dhe kulturë.

Pavarësisht se ishte krenaria e botës së lashtë, biblioteka e famshme egjiptiane u dogj disa herë, dhe në vitin 48 para Krishtit, u gjend në mes të një lufte civile.

A e dogji vërtet Jul Cezari Bibliotekën e Madhe të Aleksandrisë? Apo ishin dijetarët islamikë? Apo vetë mbrojtësi i bibliotekës? Ja çfarë dinë historianët për shkatërrimin e saj.

Çfarë ishte Biblioteka e Aleksandrisë?

Pavarësisht vendndodhjes në Egjipt, biblioteka ishte në fakt një bastion i kulturës së lashtë greke. Ajo ishte ndërtuar brenda një tempulli të quajtur "Mouseion" ose "Tempulli i Muzave". Muzeu, me sallat e leximit dhe kopshtet e tij, nuk ekziston më. Por rrëfimet e kohës e përshkruajnë me tone poetike për arkitekturën dhe përmbajtjen e saj, një nderim ndaj qytetërimit grek falë ndikimit të dinastisë treshekullore të Ptolemejve në Egjipt.

Nuk është e qartë nëse biblioteka ishte ide e Ptolemeut I Soter, faraonit të parë të dinastisë Ptolemaike që mori fronin në vitin 323 p.K., apo e këshilltarit të tij, Demetriut të Faleronit. Ptolemeu ishte me origjinë maqedonase-greke dhe e shndërroi Egjiptin në një qendër të kulturës greke gjatë sundimit të tij. Ai kishte ambicie të mëdha për qytetin e Aleksandrisë, të cilin e ndihmoi ta ndërtonte në bregun mesdhetar të Egjiptit dhe e bëri kryeqytet në vitin 305 p.K., shkruan historiani Guy de la Bèdoyére në librin "Rënia e Egjiptit dhe ngritja e Romës: Një histori e Ptolemejve". Me kalimin e kohës, shton ai, qyteti i madh i Ptolemeut "shërbeu si një port hyrës në çdo kuptim të mundshëm, për letërsinë, artin dhe filozofinë, si dhe për tregtinë."

Rreth vitit 295 p.K., ai i ngarkoi Demetriut ndërtimin e koleksionit më të madh të veprave të shkruara në botë, një hap që do ta vendoste Aleksandrinë në hartë dhe do ta kthente Egjiptin në një qendër të rëndësishme të kulturës greke.

Megjithatë, Ptolemeu I nuk jetoi për ta parë bibliotekën; ai vdiq në vitin 283 p.K. Historianët bien dakord se ajo u hap gjatë sundimit të djalit dhe pasardhësit të tij, Ptolemeut II Filadelf, midis viteve 284 dhe 246 p.K. Deri atëherë, dinastia Ptolemaikekishte investuar burime të mëdha në projekt dhe në zgjerimin e Aleksandrisë. Ndërsa dërguarit e faraonit kërkonin nëpër botë për vepra të shkruara, ata blenë ose kopjuan thesare si biblioteka e Aristotelit dhe kopje origjinale të veprave të Eskilit, Euripiditdhe Sofokliut.

Edhe pse njihej më së shumti për përmbajtjen e letërsisë së plotë greke të lashtë, biblioteka përfshinte gjithashtu vepra nga qendra të tjera kulturore si Siria, Persia dhe India. Dhe ajo i mahniste vizitorët jo vetëm me qindra mijëra rrotullat e saj të papiruseve, por edhe me arkitekturën e saj.

Biblioteka ishte e njohur në mbarë botën si një depo dijeje. Ashtu si një universitet modern, ajo tërhiqte dijetarë të magjepsur nga koleksionet e saj të mëdha dhe të etur për të përparuar dijen në shkencë, matematikë dhe arte. Ishte aq e madhe sa që krijoi një institucion motër, "Serapeumin", në një tempull pranë saj. Por Ptolemeu VIII dëboi të gjithë dijetarët e huaj si pjesë e një lufte për trashëgimi rreth vitit 145 p.K.

Studiuesit modernë dinë "për fat të keq shumë pak" për bibliotekën dhe dijetarët e saj, vëren Bèdoyére. Megjithatë, ai shkruan se ajo pati një ndikim të jashtëzakonshëm në botën e saj. "Ndoshta, atëherë, kontributi i saj më i madh në historinë e dijes është fakti që ajo ekzistoi fare," thekson ai, duke e quajtur bibliotekën "dhuratën më të madhe të Ptolemejve për botën e lashtë."

Si u dogj Biblioteka e Aleksandrisë

Paqëndrueshmëria sociale në gjithë Egjiptin mund të ketë ndikuar në rënien e bibliotekës. Në vitin 48 p.K., të paktën një pjesë e bibliotekës u bë viktimë e një lufte civile egjiptiane. Atë vit, gjenerali romak Jul Cezari dhe ushtarët e tij udhëtuan në Aleksandri për të mbrojtur aleaten e tij, Kleopatrën, në një luftë kundër vëllait të saj, Ptolemeut XIV. Gjatë betejës, romakët u përpoqën të bllokonin flotën e Ptolemeut që të mos largohej nga porti duke u vënë zjarr anijeve dhe dokeve të Aleksandrisë.

Ndërsa zjarri u përhap, ai arriti deri në Mouseion. Burimet historike nuk bien dakord për shkallën e dëmit; disa historianë të hershëm si Plutarku pretendojnë se e gjithë biblioteka u dogj, ndërsa filozofi Seneka i Riu citoi një vepër tashmë të humbur që thoshte se u shkatërruan 40,000 pergamena.

A mbijetoi ndonjë gjë? Burime të mëvonshme i referohen sërish Mouseion-it, gjë që tregon se tempulli ishte ende në përdorim, dhe duket se dijetarët vazhduan të punonin me koleksione që do të ishin djegur po të ishte shkatërruar tërësisht biblioteka.

Rënia e Bibliotekës së Aleksandrisë

Mbetjet e bibliotekës dhe dijetarët e lidhur me të përjetuan një rënie të ngadaltë bashkë me vetë qytetin e Aleksandrisë, sipas studiuesve të tjerë.

Me kalimin e kohës, Biblioteka e Aleksandrisë "u zhduk ngadalë për shkak të neglizhencës", shkruan bibliotekari dhe kuratoriSebastian Modrow në veprën "Libraries, Archives andMuseums". Dikur seli e dijes greke, Aleksandria tashmë ndodhej nën sundimin romak, dhe udhëheqësit romakë duket se e kishin lënë pas dore këtë depo dijeje, shkruan historiani Roy MacLeodnë librin "Biblioteka e Aleksandrisë: Qendër e Dijes në Botën e Lashtë". "Na është thënë shumë pak për bibliotekën (ose çfarëdo që kishte mbetur prej saj) gjatë periudhës së Perandorisë Romake."

Biblioteka e Aleksandrisë mund të ishte zhdukur, por ka prova që institucioni i saj simotër kishte mbijetuar, por edhe ai u dogjdy herë

Ndërsa krishterimi u përhap nëpër Perandorinë Romake, sundimtarë të krishterë si Theodosius I dhe patriarku i krishterë i Aleksandrisë nisën të luftonin atë që e konsideronin adhurim pagan. Në vitin 391 pas Krishtit, një grup dijetarësh të Serapeumit, të zemëruar nga sulmet romake ndaj perëndive dhe muzave të tyre, sulmuan disa të krishterë në Aleksandri. Në kundërpërgjigje, të krishterët shkatërruan dhe rrënuan Serapeumin.

Zjarri, apo akuzat për zjarrvënie, vazhduan të luanin rol në fatin e bibliotekës. Në vitin 642 pas Krishtit, forcat arabe të komanduar nga Amr ibn al-As pushtuan Aleksandrinë gjatë fushatës së Kalifatit Rashidun për të pushtuar Egjiptin. Sipas një teksti të mbijetuar të shekullit XIII, pushtuesit arabë thuhet se morën urdhër nga Kalifi Umar që të shkatërronin bibliotekën e madhe, duke përdorur librat e saj si lëndë djegëse për të ngrohur ujin e banjave gjatë okupimit që pasoi.

Por historianët modernë thonë se kjo është një legjendë, e krijuar dhe përhapur nga të krishterët mesjetarë që dyshonin në Islam dhe mësimet e tij. "Toleranca intelektuale ishte një shenjë dalluese e qytetërimit islamik mesjetar," shkruan historiania Asma Afsaruddin në "The American Journal of Economics andSociology". Përkundër miteve popullore, Afsaruddin thekson se myslimanët e asaj kohe ishin jashtëzakonisht të hapur ndaj dijes së kulturave të tjera.

Një debat i qëndrueshëm

Për vite me radhë, shkruan historiani klasik Roger S. Bagnall në "Proceedings of the American Philosophical Society", debatet janë ndezur mbi atë se kush e shkaktoi zjarrin dhe pse. "Kjo është një mister vrasjeje me disa të dyshuar," shkruan ai, duke vënë në dukje se "ndjenjat ende janë të forta për këtë çështje."Ai shton se disa dijetarë fajësuan mësuesit e krishterë të vitit 391 për shkatërrimin e mbetjeve të dijes klasike që kishin mbetur në bibliotekë, ndërsa të tjerë ia atribuojnë shkatërrimin përfundimtar të bibliotekës Kalifatit Islamik dhe supozuar refuzimit të tij ndaj dijes jo-myslimane.

Ajo që dimë me siguri është se, me kalimin e kohës, edhe kujtimet për Mouseionin u zhdukën. Sot, Biblioteka e Aleksandrisë mbetet një nga mrekullitë më të vajtuara të historisë dhe vazhdon të ngjallë keqardhje për humbjen e pakthyeshme të një thesari të madh dijeje të lashtë.