Formimi i qeverisë, “takimi do të mbahet pasi Kurti të kthehet nga Londra”

Të dielën e kësaj jave kryetari i LVV-së Albin Kurti duhet ta dëshmojë para deputetëve të Kuvendit nëse i ka siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë. Kjo vetëm nëse Gjykata Kushtetuese deri atëherë nuk sjell një vendim të saj, duke u bazuar në ankesën e Listës Serbe. Vendimi sipas burimeve të rtv21 mund të vijë në fundjavë. Një ditë më parë Kurti tha se e ka të vështirë të krijojë shumicën, por bëri të ditur se nuk do t’i ndalë përpjekjet deri në fundjavë.

Ndërkohë, deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, është optimist se qeveria “Kurti 3” do të zgjidhet brenda afatit kushtetues.

“Sigurisht se është momenti që të zgjidhet qeveria ‘Kurti 3’ dhe ne si LVV presim reflektimin nga ana e deputetëve të opozitës që të bëhemi bashkë dhe t’i krijojmë institucionet tona edhe pse ka pasur një vonesë në këtë drejtim. Sigurisht se do të ketë numra dhe do të kemi formimin e qeverisë ‘Kurti 3’”, tha Thaçi.

Një qeveri ‘Kurti 3’ nuk e duan asnjëra nga partitë shqiptare: PDK, LDK dhe AAK, zyrtarët e të cilave e konfirmuan për RTV21 se arsyeja e mos bashkëpunimit është se Kurti i ka sjellë dëme vendit gjatë qeverisjes së tij. Duke qenë se edhe Nisma është barrikaduar në kërkesën e saj se duhet ta ketë postin e kryeparlamentarit për një koalicion me LVV-në, Kurti ka planifikuar të nisë bisedimet me deputetët e pakicave jo serbe.

Deputeti nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli, ka bërë të ditur se do të zhvillojë takim me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re, pasi Kurti të kthehet nga Londra.

“Sipas informacioneve që kemi me të cilat jemi dakorduar paraprakisht ne jemi duke e pritur kthimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që pas kthimit të tij nga Londra do të takohemi për formimin e Qeverisë. Do të kem takim unë si përfaqësues i komunitetit Rom, ndërsa për të tjerët nuk kam informacione’’, tha Kinolli.

Edhe deputeti i pavarur i Kuvendit nga komuniteti Ashkali, Artan Asllani, konfirmoi se është planifikuar një takim me Kurtin për formimin e Qeverisë. Ai tha se janë të gatshëm për bashkëpunim me LVV-në, por ka disa kërkesa specifike.

“Po, patjetër se do të pranojmë të takohemi me Kurtin. Unë jam kadorduar dhe zotri Kurtin për bashkëqeverisje. Unë nuk e di formatin e takimit, por i di kërkesat që i kam dhe kërkesat e mia konkrete që kanë me qenë për kryeministrin e ardhshëm që komuniteti ashkali të ketë përfshirje të plotë në buxhetin e Kosovës, me pas fonde për komunitetin ashkali. Ne nuk do ta kushtëzojmë formimin e qeverisë me pozita”, tha Asllani.

Kurtin pritet që ta mbështesin pa rezervë partnerët e tij koalicionit të deritanishëm qeverisës, Elbert Krasniqi, nga Iniciativa e Re Demokratike dhe Emilia Rexhepi nga Partia e Re Demokratike, të cilët kanë thënë se do të votojnë për qeverinë “Kurti 3”.

Por kryetari i LVV-së, Albin Kurti, do ta ketë telashe me disa deputetë që nuk binden lehtë për ta votuar një qeveri “Kurti 3”.

Deputeti nga komunitetit egjiptian, Veton Berisha, ka shprehur gatishmëri për takim me Kurtin nëse ky i fundit i dërgon ftesë, por, siç tha, nuk do të thotë se ka votë për qeverinë “Kurti 3”.

“Për momentin nuk kemi ftesë prej askujt. Jemi të gatshëm për takim. Pas takimit, nëse do të ketë, do të vendosim për votën. Kërkesa jonë është që të harmonizohet programi jonë më të atij (Kurtit). Mundësisht jemi për formimin e qeverisë, por kjo varët nga mandatari”, tha Berisha.

As deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, nuk ka pranuar një ftesë për takim deri tani me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti. Por, ajo tha se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar dhe se e vetmja kërkesë e saj është formimi i Komunës së Boshnjakëve.
Albin Kurti ka afat deri të dielën t’i sigurojë së paku 61 vota dhe nëse dështon presidentja mund t’ia japë mandatin partisë ose koalicionit tjetër që mund të dëshmojë se ka shumicën në Kuvend. Nëse edhe kandidati i dytë dështon presidentja shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhjet të reja brenda 45 ditëve.