SHBA-ja njofton sanksione ndaj Rusisë, pas sulmeve me dronë në Ukrainë
Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha të mërkurën se administrata Trump po përgatitet të shpallë sanksione të shtuar ndaj Rusisë, ndërsa përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të dhënë fund luftës po dështojnë dhe presidenti i Ukrainës kërkon më shumë ndihmë ushtarake nga jashtë.
“Ne do të shpallim ose pas mbylljes së sesionit sot pasdite, ose herët nesër në mëngjes, një rritje të konsiderueshme të sanksioneve ndaj Rusisë,” tha Bessent për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. Ai bëri këto komente ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ishte në Uashington për bisedime dhe po përgatitej të takonte Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, raporton AP.
Bessent nuk dha detaje mbi natyrën e sanksioneve. Ai foli pas sulmeve të dronëve dhe raketave ruse që goditën vende të ndryshme në Ukrainë, duke vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë një grua dhe dy vajzat e saj të vogla.
Sulmet ndodhën në disa valë gjatë gjithë natës dhe shënjestruan të paktën tetë qytete ukrainase, si dhe një fshat në rajonin e kryeqytetit Kiev, ku një goditje i vuri flakën një shtëpie ku qëndronin nëna dhe vajzat e saj, 6-muajshe dhe 12-vjeçare, tha kreu rajonal Mykola Kalashnyk.