Shkëndija debuton si nikoqire, Beqiri shpreson në tri pikë
Pas kualifikimit historik në fazën kryesore të një prej tre garave evropiane, kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, nis një tjetër kapitull historik.
Të enjten, skuadra e Shkëndijës nga Tetova do të luajë për herë të parë si nikoqire në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke e pritur në Shkup ekipin irlandez Shelbourne nga Dublini.
Ndeshja do të zhvillohet në orën 18:45, dhe trajneri Jeton Beqiri është shprehur optimist për përballjen, duke besuar se momenti është i përshtatshëm për ekipin e tij.
“Kemi pasur mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur. Edhe pse jemi të ndryshëm në stil me kundërshtarin, me lojë të mençur dhe të disiplinuar synojmë fitoren. Kemi analizuar në detaje skuadrën e Shelbournit dhe e dimë që duhet të japim maksimumin për të marrë tri pikët. Presim mbështetje nga tifozët dhe një paraqitje të mirë,” u shpreh Beqiri në konferencën për shtyp.
Ai gjithashtu iu rikthye përvojës nga ndeshja ndaj Rayo Vallecanos në Spanjë.
“Në Vallecas pamë çfarë është futbolli modern. Nuk është rastësi që ekipet spanjolle janë gjithmonë në elitë. Rayo luan futboll bashkëkohor dhe shpresoj që kemi nxjerrë mësime nga ai takim që do na ndihmojnë në të ardhmen.”
Ndeshja e së enjtes do të gjykohet nga Stefan Ebner nga Austria, me ndihmësit e tij Robert Steinacher dhe Martin Hofler. Gjyqtari i katërt do të jetë Julian Weinberger, gjithashtu nga Austria.