Gjykimi për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, si dështoi seanca e në Apel për fajin e Themelores?
Në Gjykatën e Apelit, ditën e hënë të 20 tetorit 2025 ishte planifikuar të elaboroheshin ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve Jeton dhe Nexhat Vllasaliut ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë mbi dënimin me burgim të përjetshëm, por për faj të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kjo u pamundësua dhe dështoi seanca.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 maj 2025 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas shpalljes dhe përpilimit të vendimit, Themelorja nuk i kishte dërguar tek pala e dëmtuar për përgjigje, ankesat e parashtruara ndaj këtij vendimi nga mbrojtja e të akuzuarve, edhe përkundër që Kodi i Procedurës Penale e kërkon. Kjo bëri që seanca e Apelit të dështojë.
Sipas Kodit të Procedurës Penale (08/L-032), në nenin 388, parashihet që Gjykata e cila nxjerrë aktgjykimin, pas pranimit të ankesave, i dërgon ato te palët në procedurë për përgjigje ndaj ankesës.
“3. Kjo gjykatë i dërgon një kopje të ankesës palëve të tjera, të cilat mund të paraqesin përgjigje brenda tetë (8) ditëve nga pranimi i kopjes së ankesës…”, përcaktohet në këtë nen.
Dhe se sipas nenit 9 të po këtij Kodi, kur flitet për përkufizimet, si palë në procedurë renditet edhe i dëmtuari.
“ 1.15. Palë në procedurë – prokurori i shtetit, i pandehuri dhe i dëmtuari ose viktima….”, thuhet në po këtë Kod.
Andaj, Themelorja në Prishtinë rezulton se këtë obligimi ligjor të mos e këtë përmbushur në rastin ku u shqiptua dënimi me burgim të përjetshëm.
Seanca e Apelit dështoi të mbahet përkundër që prezent ishte pala e dëmtuar me përfaqësuesen- avokaten Dafina Osmani. Të pranishëm ishin edhe i akuzuari Jeton Vllasaliu me avokatët Florent Latifaj dhe Driton Musliu, si dhe i akuzuari tjetër Nexhat Vllasaliu me avokatët Kosovare Kelmendi dhe Shemsedin Piraj.
Të akuzuarit ishin sjellë me transport nga Njësiti për Transportimin e të Burgosurve, dhe atë nga Burgu i Sigurisë së Lartë.
Ndryshe para kolegjit të Apelit të hënën, avokatja Dafina Osmani deklaroi se si përfaqësues të palës së dëmtuar nuk kanë pranuar ankesat e avokatëve të të akuzuarve për të pasur mundësi të japin përgjigje në pretendimet e tyre ankimore.
“Deri më sot nuk kemi pranu ankesat e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve”, tha Osmani, duke kërkuar kështu shtyrjen e seancës.
Më pas kryetari i kolegjit, gjykatësi Mentor Hajra konstatoi se pretendimi i avokates Osmani është i bazuar duke shtuar se si përfaqësues të palës së dëmtuar të drejtohen në Gjykatën e Apelit për të marrë ankesat dhe po ashtu edhe për të dorëzuar përgjigje në ankesë, ashtu që të mos ketë vonesa në trajtimin e rastit.
Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kuptuar se për çfarë arsye nuk kanë dërguar ankesat e të akuzuarve për përgjigje te pala e dëmtuar, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri më tani.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. /BetimipërDrejtësi