Kërkohet paraburgim ndaj të miturit serb, i cili futi ilegalisht pesë kinezë në Kosovë
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit, për shkak të dyshimit të veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”.
Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 21.10.2025, rreth orës 20:20, në fshatin Seqishtë, komuna Hani i Elezit, saktësisht te vendi i quajtur parku memorial “Bllaca 99”, i mituri me qëllim të kontrabandimit me migrantë, ka organizuar - kontrabanduar kalimin e jashtëligjshëm të migrantëve, saktësisht pesë persona me shtetësi kineze, duke kaluar vijën kufitare Kosovë - Maqedoni e Veriut, në atë mënyrë që, i mituri fillimisht ishte takuar dhe kishte komunikuar me personat në fjalë në shtetin e Republikës së Serbisë, dhe kishin bërë marrëveshje që për secilin person të marrë pagesë në vlerë prej 20.00 euro, e më pas i merr personat në fjalë nga shteti i Serbisë hyjnë në shtetin e Kosovës, ku i mituri siguron një automjet, ku e drejton një person deri më tani i panjohur, dhe i fusin në veturë që të gjithë, e më pas të njëjtit i dërgon në drejtim të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, saktësisht tek vija kufitare Kosovë-Maqedoni Veriore, ku aty nga njësiti patrullues kufitar janë vërejtur dhe kanë arritur të ndalojnë që të gjithë dhe ti shoqërojnë në stacionin policorë kufitar rajoni Lindje-Kaçanik, ku i mituri edhe është arrestuar, me këtë kishte për të kryer veprën penale “Kontrabandim me migrantë” nga Neni 164, paragrafi 1 të KPRK-së.
“I mituri që nga data 21 tetor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 24-orësh për veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftim. /Zëri