Rosalia përballet me gjobë prej 600 mijë eurosh, nuk kërkoi leje për të promovuar albumin e saj në Madrid
Këngëtarja Rosalía përballet me një gjobë prej 600 mijë eurosh pasi nuk kërkoi leje për të promovuar albumin e saj të ri në Madrid.
Ylli i muzikës shkaktoi bllokim trafiku të hënën mbrëma, pasi njoftoi drejtpërdrejt në TikTok se do të shkonte në sheshin qendror Callao në Madrid për një “surprizë”, në kuadër të prezantimit të kopertinës së revistës LUX, që u shfaq në një ekran gjigant.
Siç u bë e ditur, 33-vjeçarja u detyrua të braktiste makinën në të cilën po udhëtonte, ndërsa transmetonte përgatitjet dhe vrapoi drejt një hoteli aty pranë.
Aty, ajo përshëndeti fansat entuziastë nga një dritare, në katin e sipërm.
Të martën, nënkryetarja e Bashkisë së Madridit, Inma Sanz, konfirmoi se autoritetet lokale po hetonin nëse artistja katalanase kishte marrë leje për organizimin e aktivitetit.
Ajo deklaroi:
"Nuk duket se ka pasur një autorizim specifik dhe, nëse rezulton se nuk ka pasur, do të merren masa përkatëse".
Borja Carabante, zëvendës nënkryetar i dytë dhe këshilltar për çështjet e transportit, gjithashtu komentoi mbi situatën, duke thënë:
"Në parim, nuk kam dijeni për ndonjë kërkesë për leje të paraqitur në departamentin e mobilitetit. Jemi duke kontrolluar të gjitha zyrat e shërbimit qytetar për të parë nëse ky aktivitet është raportuar. Nëse konfirmohet që nuk është bërë ndonjë kërkesë, do të nisin procedurat disiplinore, të cilat mund të përfundojnë me një gjobë për organizimin e një eventi në hapësirë publike pa autorizim".
Më vonë atë pasdite, policia e Madridit e përshkroi atë që ndodhi në Callao si një veprim “spontan”, duke shtuar se ishin detyruar të ndjekin rrjetet sociale për të kuptuar çfarë po ndodhte, për shkak të mungesës së çdo informacioni zyrtar.