Natë e çmendur në Champions, 43 gola të shënuar në nëntë ndeshje
Xhiroja e tretë e fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve dhuroi spektakël të vërtetë futbolli, me plot 43 gola të shënuar në vetëm nëntë ndeshje.
Nga Barcelona e deri në “BayArena”, mbrëmja u karakterizua nga gola, ritëm i lartë dhe paraqitje të frikshme nga gjigantët evropianë.
Barcelona shkëlqeu në shtëpi duke mposhtur Olympiacosin me rezultat të thellë 6:1, ku Fermin Lopez ishte ylli i mbrëmjes me “hat-trick”.
Në Londër, Arsenali dominoi plotësisht ndaj Atletico Madridit, duke fituar me rezultat të pastër 4:0 dhe duke treguar se është një nga skuadrat më solide të këtij edicioni.
Në Gjermani, PSG shkatërroi Bayer Leverkusenin me rezultat impresionues 7:2, në një ndeshje ku Doué dhe Dembélé ishin të pandalshëm, ndërsa parizienët ruajnë rekordin perfekt me tri fitore.
Borussia Dortmund mori një fitore të rëndësishme 4:2 ndaj FC Copenhagen, në një duel plot kthesa e emocione.
Newcastle United vazhdoi formën e mirë në arenën evropiane duke fituar 3:0 ndaj Benficës, me një performancë të disiplinuar dhe efikase.
Spektakël pati edhe në Eindhoven, ku PSV e mposhti Napolin me rezultat të thellë 6:2, duke konfirmuar forcën e sulmit holandez.
Në Belgjikë, Interi ishte i pamëshirshëm ndaj Royale Union SG, duke fituar 4:0 dhe duke ruajtur portën e paprekur për herë të tretë radhazi në Champions.
E vetmja ndeshje pa gola ishte ajo mes Kairat Almaty dhe Pafosit, që përfundoi 0:0.
Ndërkohë, Manchester City fitoi me qetësi 2:0 ndaj Villarrealit, duke e përmbyllur me stil një mbrëmje ku skuadrat e mëdha treguan pse janë pjesë e elitës evropiane. /metro