Fillon fushata vjeshtore e vaksinimit nga ajri kundër sëmundjes së tërbimit të kafshëve të egra

Ka filluar fushata vjeshtore e vaksinimit nga ajri të kafshëve të egra kundër sëmundjes së tërbimit. Kështu ka njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke treguar edhe se kjo realizohet përmes shpërndarjes së vaksinave nga ajri në zonat e përcaktuara, ndërsa monitorimi i procesit bëhet nga inspektorët veterinarë të AUV-it në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

“Rekomandojmë qytetarët të jenë të kujdesshëm në rast se hasin vaksinat e hedhura nga ajri. Në veçanti, u bëjmë thirrje familjeve me fëmijë që jetojnë në zonat ku kryhet shpërndarja e vaksinave, që t’i udhëzojnë fëmijët të mos i prekin kapsulat e vaksinave, pasi ato janë të destinuara vetëm për kafshët e egra. Fushata është pjesë e masave të parandalimit të përhapjes së tërbimit dhe synon mbrojtjen e shëndetit publik dhe atij veterinar. Për çdo informacion shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë”, thuhet në komunikatën për media.