Ndërhyrje urgjente te mësimdhënësit e pa kualifikuar
Çështja e mësimdhënies në shkollën “Katër Dëshmorët” në Krojmir të Lipjanit po ngre shqetësime te prindërit.
Mirëpo, për këtë situatë shqetësuese dhe dhunën fizike e psikologjike që po ushtrohet ndaj nxënësve të kësaj shkolle, është kërkuar ndërhyrje e menjëhershme institucionale.
Sipas sociologes Flaka Imeri, dhuna nuk është e tolerueshme dhe është shumë e rrezikshme nëse këta fëmijë i nënshtrohen presionit psikologjik nga mësimdhënësi.
Ajo pohon se duhet të merren masa nga organet përkatëse, sepse dhuna sjell pasoja afatgjata dhe të rënda, duke përfshirë edhe humbjet akademike të këtyre nxënësve.
Imeri thotë se një arsimtar nuk mund të jetë ligjërues i mirë i katër lëndëve, pasi janë shumë.
Ajo thotë se kjo do të lërë pasoja të mëdha në mësimnxënien e mëtejshme.
Shqetësuese e kanë konsideruar këtë situatë edhe njohësit e arsimit.
Sipas tyre, do të ishte më mirë që gjuhën gjermane të mos e ndiqnin fare sesa ta mësonin nga një mësimdhënës që nuk është i kualifikuar.
Njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se në këtë rast janë duke u marrë parasysh interesat e mësimdhënësit dhe jo të nxënësve.
Sipas Rexhajt, Komuna e Lipjanit duhet të marrë masa të menjëhershme lidhur me këtë arsimtar. Sipas tij, dhuna në shkolla është e patolerueshme, andaj kjo përbën një brengë tepër të madhe.
Në bazë të informacioneve, arsimtari Zenë Qeriqi është afër pensionimit, andaj edhe për të përmbushur normën i janë dhënë përgjegjësi që të ligjërojë lëndë për të cilat nuk është i kualifikuar./klankosova