Guvernatori i BQK-së takon Gjeneralin italian, flasin për forcimin e luftës kundër falsifikimit të parasë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorin Fusha dhe bashkëpunëtorë, ka pritur në takim Gjeneralin e Komandës së Karabinierëve kundër Falsifikimit Monetar, Gianluca Vitagliano, i shoqëruar nga Pier Luigi Ferri.

Takimi u zhvillua në kuadër të programit Pericles dhe synonte forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Italisë në fushën e luftës kundër falsifikimit të parasë.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e njoftoi delegacionin italian për mandatin dhe përgjegjësitë e BQK-së, me theks në aktivitetet që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe luftën kundër falsifikimit monetar. Ai foli edhe për projektet në zhvillim, përfshirë krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit të Parasë, që po mbështetet nga Banka Qendrore e Kroacisë dhe Zyra e BE-së në Prishtinë përmes programit TAIEX.

Në këtë takim u diskutua edhe mundësia e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të një projekti të financuar nga Komisioni Evropian, që synon forcimin e kapaciteteve profesionale për identifikimin dhe parandalimin e falsifikimeve monetare. Po ashtu, u përmend rëndësia e adresimit të këtyre sfidave edhe në fushën e kripto-aseteve dhe instrumenteve digjitale, të cilat po zhvillohen me shpejtësi në nivel global.

Guvernatori Ismaili theksoi se korniza e re ligjore do të mundësojë krijimin e një qendre të specializuar brenda BQK-së për luftimin e falsifikimit të valutës, duke përcaktuar rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve përkatëse.

Në këtë kontekst, drejtuesit e BQK-së kujtuan edhe marrëveshjen e nënshkruar në gusht 2025 me Bankën Qendrore Evropiane (BQE), e cila forcon përkushtimin institucional për ruajtjen e integritetit të kartëmonedhave euro dhe stabilitetit financiar në Kosovë.

Në fund të takimit, Guvernatori Ismaili falënderoi delegacionin italian për mbështetjen dhe bashkëpunimin, duke theksuar se koordinimi me partnerët evropianë është thelbësor për mbrojtjen e valutës dhe forcimin e sigurisë monetare në vend.