Abdixhiku, i bindur se LDK-ja do të jetë fituese në shumë komuna në balotazh

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pasur sot një takim pune me kandidatët e LDK-së që garojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në këtë takim, siç ka njoftuar LDK-ja, u diskutuan përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për balotazhin dhe mobilizimi i plotë i strukturave në terren.

“Kryetari Abdixhiku vlerësoi lart entuziazmin dhe energjinë pozitive që po mbizotëron në çdo komunë ku LDK-ja garon, duke theksuar se qytetarët e Kosovës tashmë po e njohin qartë dallimin mes qeverisjes serioze dhe asaj të gabuar”.

“LDK-ja ka dëshmuar se di të qeverisë me përgjegjësi, me ndershmëri dhe me rezultate. Kemi sjellë zhvillim, mirëqenie dhe stabilitet në komunat tona, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me përkushtim edhe pas 9 nëntorit. LDK-ja vazhdon të mbetet shembull i qeverisjes lokale që punon për qytetarin, për projekte konkrete, për shërbime më të mira dhe për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.

Në fund thuhet se LDK-ja është e bindur se me këtë frymë uniteti, profesionalizmi dhe përkushtimi të përbashkët do të dalë fituese në shumicën e komunave në balotazh. /Zëri