Media spanjolle “OKdiario”: Shqipëria, destinacioni evropian për vitin 2025
Shqipëria, një nga sekretet më të ruajtura të Evropës, është shndërruar në një nga destinacionet e preferuara të turistëve në vitin 2025, veçanërisht për ata që kërkojnë një vend të përballueshëm, shkruan Janire Manzanas në revistën spanjolle “OKdiario”.
I mbushur me bukuri natyrore mahnitëse, ky vend ofron një kulturë dhe histori unike, si dhe një vijë bregdetare që rivalizon plazhet më idilike të botës.
Ajo që vërtet e dallon Shqipërinë është statusi i saj si një thesar i paeksploruar në kontinentin evropian, gjë që e mban atë një destinacion evropian të përballueshëm.
Vizitorët mund të shijojnë një birrë vendase për vetëm 1 euro dhe të shijojnë vakte të shijshme për 12 euro. Shqipëria ofron një mundësi të parezistueshme për turistët me buxhet të kufizuar.
Shqipëria është aktualisht një destinacion turistik i përballueshëm dhe tërheqës nëse doni të shijoni pushime me çmime të lira pa kompromentuar cilësinë e përvojës suaj.
Vlen të përmendet se në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, çmimet priren të jenë më të larta krahasuar me rajone të tjera të vendit, siç është Riviera piktoreske Shqiptare.
Lidhur me akomodimin, dhomat në një shtëpi lokale kushtojnë midis 10 dhe 20 euro nata.
Hotelet janë gjithashtu shumë të përballueshme, me opsione që fillojnë nga 25 euro nata.
Ndërsa, kostoja e një pjate kryesore në një restorant lokal është zakonisht midis 5 dhe 10 euro, ndërsa një birrë në një bar mund të kushtojë midis 1 deri në 2 euro.
Cilat janë vendet më interesante që duhet të vizitoni në Shqipëri?
Tirana është një vend i mbushur me histori. Ju mund të eksploroni të kaluarën e saj përmes muzeve interesante si muzeu “Shtëpia me Gjethe”, Bunk’Art 2, ose dhoma e gjerë që detajon terrorin e regjimit komunist në Muzeun Historik Kombëtar.
Shijoni një zhytje relaksuese në burimet e nxehta të Bënjës, me pamje nga malet, si një nga përvojat më të mira në Shqipëri.
Këto burime të nxehta ndodhen në Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës.
Përveç zhytjes, ju mund të vizitoni Urën Osmane të Kadiut, një urë mesjetare e ruajtur mirë – që kalon mbi ujërat bruz të lumit Langaricë që i shton hijeshinë mjedisit përreth.
Berati, i vendosur më pak se dy orë larg kryeqytetit të Shqipërisë, është një destinacion i famshëm turistik i njohur nga UNESCO si një sit i Trashëgimisë Botërore.
Me një histori që përfshin më shumë se 2000 vjet, ky qytet përfaqëson një vatër ku shkrihen disa kultura, të dëshmuara nga gjurmë të qytetërimeve të ndryshme.
Ndonëse i mungojnë monumentet e mëdha specifike, Berati qëndron si një muze i madh në ajër të hapur, duke mahnitur turistët me hijeshinë dhe trashëgiminë e pasur historike.
Gjirokastra, e përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shquhet për arkitekturën tradicionale osmane dhe njihet ndryshe si “qyteti i gurtë”.
Ajo konsiderohet si një nga shembujt më të mirë të kësaj arkitekture në Shqipëri.
Falë historisë dhe trashëgimisë kulturore të pasur dhe unike, Gjirokastra po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj.
Qyteti grek i Apolonisë së Ilirisë është një sit arkeologjik pranë Fierit, qyteti i dytë më i populluar në Shqipëri.
Ai spikat për tempullin e tij të Artemidës, fasada e të cilit dhe kolonat elegante korintike mbeten ende në këmbë.
Pjesa më e madhe e gjetjeve të ekspozuara në Manastirin e Shën Mërisë, shërbejnë si një muze plotësues gjatë itinerarit – duke ofruar një eksperiencë të jashtëzakonshme.
Kruja, e vendosur 30 kilometra larg nga Tirana, është një qytet i domosdoshëm për t’u vizituar në Shqipëri.
E njohur si vendlindja e heroit kombëtar Skënderbeu, ajo magjeps me kështjellën e saj që ofron pamje panoramike të qendrës historike.
Përveç kësaj, ajo ka vende të ndryshme interesante si Teqeja e Dollmës dhe Muzeu i Skënderbeut.
Shqipëria krenohet me një pasuri natyrore të admirueshme, që rivalizon vendet fqinje, dhe këtë e dëshmon qartë Riviera Shqiptare.
Kjo vijë bregdetare, që shtrihet mbi 100 kilometra, ofron një koleksion plazhesh me bukuri magjepsëse dhe të jashtëzakonshme. /atsh