Buleshkaj: Rreth 150 raste të konfliktit të interesit këtë vit, 30 për qind lidhen me punësim

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se që nga fillimi i këtij viti janë evidentuar rreth 150 raste të konfliktit të interesit, ndërsa afërsisht 30 për qind e tyre lidhen me procesin e punësimit në institucione publike.

Buleshkaj foli edhe për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët shtetërorë, ku theksoi se mbi 100 prej tyre janë gjobitur për vonesa në deklarim.

Buleshkaj në një intervistë ka thënë se në shumë raste zyrtarë publikë kanë marrë pjesë në panele rekrutimi apo kanë nënshkruar vendime për punësim në kundërshtim me ligjin për shkak të afërsisë me personat e përzgjedhur.

“Deri tash nga fillimi i vitit, nga të dhënat statistikore, po flasim deri në fillim të tetorit, kemi 150 raste të konfliktit të interesit. Ka një numër goxha të madh të këtyre rasteve që ndërlidhen me punësim. Nuk është numri dërrmues i tyre, por kemi mund të themi rreth 30 për qind ndërlidhen disi me punësim, qoftë me pjesëmarrje në panele rekrutimi të personave që pretendojnë që nuk kanë pasur të drejtë të jenë aty, apo edhe me vendimmarrje finale, ku nënshkruhet vendimi për punësim nga zyrtarët që ju ndalohet për shkak të afërsisë së këtyre zyrtarëve me ata që janë përzgjedhur, qoftë kjo afërsi e gjakut, qoftë afërsi në biznes apo angazhime të tjera që mund t’i kenë si zyrtarë publikë”, tha Buleshkaj.

Ai theksoi se Agjencia ka mandat të fuqishëm për të ndërhyrë në raste të konfliktit të interesit dhe se vendimet e saj janë ekzekutive dhe të zbatueshme drejtpërdrejt në aspektin administrativ.

Ai ka thënë se AKP-ja ka anuluar tenderë dhe konkurse për shkak të shkeljeve.

“Për sa i përket konfliktit të interesit, Agjencia ka mandat goxha të fuqishëm. Agjencia mund të lëshojë përgjigje në qoftë se një palë është e interesuar të informohet për diçka para se të marrë vendimin; mund të nxjerrim opinion në qoftë se kërkohet opinion dhe interpretim formal i ndonjë procesi, dhe mund të nxjerrim vendim. Vendimi nënkupton edhe mundësinë për ta anuluar një proces rekrutimi, një proces tenderimi. Ne kemi anuluar këtë vit më pak se 10, por nuk është numër shumë i vogël i procedurave të tenderimit, sepse janë lidhur kontrata me konflikt interesi, ku dikush që nuk ka pasur të drejtë të jetë qoftë në proces të verifikimit, qoftë e ka pasur të ndaluar pas mbarimit të mandatit të jetë përfitues i kontratave publike, është bërë përfitues dhe si i tillë ne kemi nxjerrë vendim për anulim të këtyre proceseve. Kemi fuqi ekzekutive në këtë aspekt dhe vendimet tona janë të zbatueshme direkt në aspektin administrativ, dhe ato mund të sfidohen vetëm para gjykatës kompetente”, tha ai.

Sipas tij, vendimet e Agjencisë janë zbatuar plotësisht dhe ato që janë kontestuar në gjykata deri tani kanë përfunduar në favor të Agjencisë.

“Vendimet tona janë zbatuar 100 për qind. Ka vendime që janë të sfiduara në gjykata dhe janë në proces. Ato që janë përfunduar, të gjitha janë përfunduar në favor të Agjencisë deri më tani, të paktën po flasim për vendimet e nxjerra nga Agjencia në tri katër vitet e fundit prej se kur jam në Agjenci. Kemi një rast të mëhershëm i cili është vendim nga gjykata dhe është nxjerrë në favor të palës, por tashmë jemi duke krijuar edhe një praktikë të re për sa i përket kryesisht angazhimit të këshilltarëve politikë, pastaj punësimit të tyre në institucionet ku ata kanë shërbyer si këshilltarë politikë. Në të kaluarën ka ekzistuar një ndalesë strikte ku këshilltarët nuk kanë qenë të lejuar që të angazhohen fare në këto pozita. Tashmë kemi një interpretim, i cili është bërë edhe ka ndihmuar nga sistemi gjyqësor, që ndalesat janë kryesisht për pozitat e larta drejtuese të cilët ata në një formë a një tjetër i kanë mbikëqyrur”, tha Buleshkaj.

Ai bëri të ditur se këtë vit janë dërguar tri deri në katër raste në Prokurori për moszbatim të dispozitave ligjore që ndërlidhen me konfliktin e interesit.

“Deri më tani kemi dërguar (në Prokurori) për moszbatim të provizioneve ligjore kur ka pasur ndonjë procedurë tenderimi. Në qoftë se nuk gaboj, janë 3-4 raste që i kemi dërguar këtë vit në Prokurori e që ndërlidhen me konflikt interesi. Kemi mjaft shumë raste të tjera që kemi dërguar për çështje të tjera, por për sa i përket konfliktit të interesit është më pak se 5 raste që janë dërguar në Prokurori. Kemi raste që kemi iniciuar procedura kundërvajtëse, sepse ligji parasheh se në qoftë se nuk ka pasur një përfitim direkt të vendimmarrësit në këtë rast, atëherë rasti nuk është vepër penale, por është shkelje administrative kundërvajtëse dhe për këtë pranojnë nga gjykata gjobë, do të thotë dënohet me gjobë. Kemi edhe raste që kemi iniciuar si kundërvajtje e të cilat po ashtu nuk janë shumë, janë nën 5 raste”, tha ai.

Sa i përket rasteve kur zyrtarë të lartë kanë mundësuar punësimin e familjarëve të tyre, ai tha se disa prej tyre tashmë janë anuluar dhe disa të tjera janë në trajtim në gjykata.

“Kemi pasur në të kaluarën, kemi edhe tash në shqyrtim raste të tilla. Por kemi anuluar nga fillimi i vitit dy tri procese të cilat janë bërë publike pastaj dhe janë ndjekur duke u trajtuar në gjykata për to, për shkak që nuk kam dëshirë që të përmendi emra, por ka pasur anëtarë të bordit apo udhëheqës të një institucioni në vendimmarrje të tyre, qoftë në shpalljen e konkursit, qoftë me aprovimin final të listës së atyre që janë zgjedhur e kanë shkelur ligjin duke pasur vendimmarrje edhe familjarët e tyre të afërt, qoftë me lidhje direkte, janë angazhuar. Si të tillë ne kemi qenë të detyruar t’i anulojmë ato procese dhe për këtë rast, për shkak se është vlerësuar që ka pasur përfitim financiar direkt të tyre, ne kemi iniciuar procedura qoftë pranë prokurorisë. Shumica nga to janë në trajtim, nuk kemi informata që janë hedhur, përveç një rasti”, tha ai.

Në këtë intervistë, Buleshkaj foli edhe për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët shtetërorë, ku theksoi se mbi 100 prej tyre janë gjobitur për vonesa në deklarim.

“Tashmë janë mbi 100 zyrtarë që kanë pranuar gjoba nga Agjencia, nga që janë vonuar për mosdeklarim të pasurisë. Mbi 70 për qind të tyre e kanë shlyer tashmë gjobat, i kemi arkëtuar ato të hyra të cilat nuk janë të vogla. Janë 30 për qind të pagës së tyre mujore, varësisht nga paga që gjenerojnë nga puna që ata kryejnë në sistemin publik. Kemi një numër të rasteve të cilat janë ankimuar edhe në Gjykata për këto vendimet tona. Në vonesa Agjencia shqipton gjobën, edhe shumë është e caktuar shumë qartë edhe me ligj dhe ne vetëm i llogarisim, nuk kemi nevojë për asnjë lloj interpretimi. Ka edhe masa të tjera që kemi shqiptuar, jo vetëm gjoba, por edhe vërejtje publike dhe jo publike që ju është vënë zyrtarëve varësisht nga shkelja, sepse disa kanë pasur arsye deri diku që ka vlerësuar ekipi jonë objektivisht dhe për to nuk është plotësuar kushti i shqiptimit të masës së gjobës, sepse ndoshta ka pasur raste kur vetëm në fund është krijuar qasja për deklarim të pasurisë apo në ditën e fundit”, tha ai.

Drejtori i APK-së bëri të ditur gjithashtu se gjatë këtij viti janë dërguar mbi 100 kallëzime penale për mosdeklarim të pasurisë, megjithëse një pjesë e madhe e tyre janë hedhur nga Prokuroria për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore.

“Kemi vazhduar edhe me dërgimin e kallëzimeve penale. Këtë vit është diku edhe informata, në qoftë se i përfshijmë, është numri për sa i përket deklarimit të pasurisë është mbi 100. Që është e vërtetë, kemi një numër të madh të këtyre kallëzimeve penale të cilët janë hedhur nga Prokuroria, fillimisht janë hedhur për shkak edhe të një vendimi të Gjykatës Supreme e cila e ka keqinterpretuar deklarimin e pasurisë nga vepër penale siç parashihej me Kodin Penal të Kosovës. Duke u bazuar në të, kanë mbyllur një numër të rasteve për neve të pa të drejtë, por tashmë ndoshta edhe komunikimi që kemi pasur edhe me Këshillin Prokurorial edhe me kryeprokurorin e shtetit, e shohim që Prokuroria është duke i trajtuar për neve në mënyrë më të drejtë dhe profesionale rastet tona, e pastaj mbetet tek gjykatat tek e fundit si vendosin në mënyrë finale”, tha ai./EO