Nuza: Për nëntë muaj u kryen rreth 1 mijë mamografi në Klinikën e Radiologjisë në QKUK

Gjatë periudhës së nëntë muajve të këtij viti, në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë realizuar mbi 1,000 mamografi, duke treguar rritje të interesimit të grave për kontrollin preventiv të gjirit.

Sipas Dr. Shkendije Nuza, drejtoreshë e Klinikës së Radiologjisë, vitin e kaluar vetëm në muajin tetor janë kryer mbi 1,000 mamografi, duke përfshirë mamografin mobil dhe atë statik, pa pasur nevojë për lista pritjeje.

“Aspekti mediatik dhe ndërgjegjësimi i grave për kontrollin e hershëm ka ndikuar në rritjen e kërkesës për mamografi këtë vit”, tha ajo.

Sa i përket ultrazërit Dr. Nuza theksoi se ultrazëri i  gjirit mbetet një ndër ekzaminimet më të shpeshta në këtë klinik.

“Aktualisht kemi rreth 130 gra në listë pritjeje, që është afërsisht dy javë, ndërsa për nëntë muaj  janë realizuar rreth 1300 ekzaminime me ultrazëri të gjirit,” tha Dr. Nuza.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e kombinimit të metodave diagnostikuese për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

“Mamografia dhe ultrazëri i gjirit janë metoda që e plotësojnë njëra-tjetrën. Zakonisht gratë mbi 40 vjeç fillojnë me ultrazër dhe, nëse ka gjetje të dyshimta, pason mamografia; ndërsa tek gratë mbi 40 vjeç, për vlerësimin e dyshimeve plotësohet me ultrazëri,” shtoi ajo.

Klinika e Radiologjisë ofron gjithashtu edhe rezonancë magnetike të gjirit dhe biopsi pas gjetjeve të dyshimta.

“Tek klinika e Radiologjisë kemi edhe rezonancë magnetike të gjirit, ku kemi një ditë të caktuar deri tek muaji tetor dhe nuk kemi listë pritjeje. Metodë tjetër është biopsia, e cila kryhet pas gjetjeve të dyshimta,” tha Dr. Nuza./Gazeta Shneta