Shënoi golin e fitores ndaj Suedisë, Asllani: Eksperiencë e veçantë dhe emocionuese
Sulmuesi Fisnik Asllani e ka cilësuar eksperiencë të veçantë dhe emocionuese pjesëmarrjen në dy ndeshjet me përfaqësuesen e Kosovës.
Kosova arriti të siguronte katër pikë të rëndësishme, duke barazuar me Slloveninë dhe më pas mposhtur Suedinë falë golit të Asllanit.
Qendërsulmuesi dha një intervistë për faqen zyrtare të Hoffenheimit, ku komentoi dy ndeshjet e Kosovës:
“Mendoj se ishte një eksperiencë shumë e mirë që patëm me ekipin kombëtar. Shumë e veçantë dhe emocionuese. Mendoj se për të gjithë vendin ishte një ditë shumë e bukur dhe jemi thjesht shumë të lumtur si shkoi”, tha Asllani.
Ai u pyet edhe për bashkëpunimin me dy yjet e Hoffenheimit, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu, duke shtuar se njohja e mirë mes tyre e bën të lehtë komunikimin:
“Sigurisht, ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë nga klubi. Është shumë e lehtë edhe për ne, sepse ne e kuptojmë njëri-tjetrin mirë. Këtu kalojmë shumicën e kohës me njëri-tjetrin dhe pastaj bëjmë të njëjtën gjë me ekipin kombëtar”, nënvizoi Asllani.
Ai pritet të jetë titullar edhe në sfidën e radhës të Hoffenheimit kundër St. Paul, ndërsa po raportohet se është duke u vëzhguar nga FC Barcelona.