Ismaili i BQK-së në Departamentin e Thesarit në SHBA
Guvernatoi i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili është pritur sot në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara nga drejtoresha në detyrë, Audrey Linthorst.
Sipas BQK-së, takimi riafirmoi partneritetin e fortë midis Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në projektin aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit në fusha që janë diskutuar më parë.
“Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj BQK-së, duke vlerësuar lart rifillimin e aktiviteteve që mbështesin asistencën teknike. Gjithashtu, ai vlerësoi lartë rolin e rëndësishëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në ndërtimin e një banke qendrore të fortë dhe të qëndrueshme për Kosovën, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për të fuqizuar funksionet kryesore dhe kapacitetet e BQK-së”, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore.
Tutje, sipas njoftimit, guvernatori Ismaili riafirmoi angazhimin e BQK-së për të avancuar partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së në fusha me interes strategjik të përbashkët.
Ndërsa bëhet e ditur se udhëheqësit e Zyrës së Asistencës Teknike të Thesarit konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar projektet ekzistuese dhe për të zgjeruar bashkëpunimin nën programin e ri të asistencës teknike. /rtk