Maroku thyen rekordin historik të Spanjës me 16 fitore radhazi

Maroku ka hyrë zyrtarisht në historinë e futbollit botëror. Marokenët regjistruan fitoren e 16-të radhazi, duke thyer rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Spanja që nga vitet 2008/09.

Në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Republikës së Kongos, të zhvilluar të martën në Rabat, ishte Youssef En-Nesyri ai që vendosi gjithçka. Sulmuesi i Fenerbahçes realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 63-të, duke i dhënë Marokut një fitore të ngushtë, por plotësisht të merituar 1:0.

Me këtë triumf, skuadra e trajnerit Walid Regragui jo vetëm që ruan ecurinë perfekte, por edhe vendos një standard të ri në futbollin ndërkombëtar, 16 fitore radhazi, një arritje që asnjë kombëtare tjetër afrikane nuk e kishte arritur më parë.

“Kemi shkruar histori, por udhëtimi vazhdon,” ishte mesazhi i bashkuar i lojtarëve pas ndeshjes. Maroku tashmë është i kualifikuar për Kupën e Botës 2026, por duket se skuadra nuk ka ndërmend të ndalet këtu.

Herën e fundit që Maroku nuk doli fitues nga fusha ishte në mars 2024, në një miqësore pa gola kundër Mauritanisë.