Kolshi: Kalimi i afatit për formimin e qeverisë mund të jetë pasojë e pariparueshme
Melos Kolshi ka folur lidhur me kërkesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme.
Ai ka theksuar se çdo subjekt politik ka këtë të drejtë, përfshirë edhe Listën Serbe.
“Në lidhje me këtë kërkesë, Gjykata Kushtetuese patjetër ka të drejtë të vendosë masë të përkohshme,” ka deklaruar Kolshi.
Sipas tij, masa e përkohshme merret në konsideratë në momentin kur ekziston mundësia e ndalimit të një pasoje të pariparueshme.
“Në këtë rast, pasojë e pariparueshme është mundësia e kalimit të afatit kohor për zgjedhjen e qeverisë, për faktin se tashmë jemi brenda atij afati dhe ai po shteron ditë pas dite. Kjo është një pasojë e pariparueshme nëse ky afat tejkalohet dhe Gjykata Kushtetuese nuk vendos masë të përkohshme, nëse kërkesa e Listës Serbe pranohet si e pranueshme,” ka shtuar ai.
Kolshi ka theksuar më tej se i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë lidhur me meritat e kërkesës së Listës Serbe./dukagjini