Azemi: Si me qeveri, si pa qeveri - për punëtorët e sektorit privat është e njëjta situatë
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është e keqe, pavarësisht që politikanët lavdërohen sidomos në fushatat zgjedhore.
Zbatim nuk po gjen as ligji i punës.
“Të themi të drejtën, të jemi shumë të sinqertë, si me qeveri si pa qeveri, për neve thuajse gati është e njëjta. Realisht, çka ka bërë kjo qeveri për punëtorët? Nuk është duke e zbatuar ligjin e punës, ligjin mbi sigurinë në punë, nuk kemi kontratë kolektive, as gjykatë të punës. Nuk kemi pasur ngritje të pagave e as respektim të ligjeve ekzistuese”, ka thënë Azemi.
Ndonëse pa Qeveri e Kuvend, por Azemi tha se më mirë gjenda nuk ishte edhe kur ato funksiononin.
Azemi kujtoi se edhe gjatë funksionimit të Kuvendit, punëtorët janë përballur me padrejtësi.
“Ju e dini që nuk kemi Qeveri e as Kuvend, por edhe kur kemi pasur Kuvend, neve na janë larguar punëtorët pa të drejtë, jashtëligjshëm. Kështu që, për neve, si pat qeveri si nuk pat, është pothuajse e njëjta. Nuk kemi pasur asnjëherë ndihmesën më të vogël,” theksoi ai në një intervistë për Ekonominë Online.
Azemi pati një kërkesë për qeverinë në ardhje.
“Kërkesa jonë, e cila sigurisht nuk do të plotësohet, është që qeveritë që do të vijnë të mos veprojnë ashtu siç kanë vepruar deri më tani. Këta njerëz janë të njëjtit, vetëm ndërrohen partitë, por për ne është e njëjta gjë. Punëtorët e sektorit privat të Kosovës prodhojnë, ndërsa ata të sektorit publik shpenzojnë. Ata kanë paga më të mira dhe gëzojnë zbatueshmërinë e ligjit të punës deri në 80-90%, ndërsa ne pothuajse fare. Në sektorin privat, pjesa dërmuese nuk e gëzon as 30% të të drejtave ligjore”, tha Azemi.
Ai shtoi se pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës janë ndër arsyet kryesore që po detyrojnë të rinjtë të largohen nga vendi.
“Një i ri që merr 600 euro në muaj nuk mund të ketë shtëpi, familje e mirëqenie. Nuk mund t’i mbulojë kërkesat bazike. Pagat në shumë biznese, si në markete, janë 350 deri në 400 euro, dhe punëtorët punojnë edhe të shtunën edhe të dielën. Ne mund të lavdërohemi nëpër tubime të ndryshme, por gjendja reale është shumë e keqe. Kjo është arsyeja pse njerëzit po e lëshojnë Kosovën”, përfundoi ai.
Pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin shkurt, Kosova ende nuk ka arritur të formojë një qeveri të re.