Peci paralajmëron kallëzim penal ndaj disa gazetarëve dhe analistëve

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj disa gazetarëve dhe analistëve publikë, për, siç thotë ai, “ndikim të palejueshëm dhe manipulim të procesit zgjedhor”.

Në një reagim drejtuar qytetarëve, Peci ka thënë se pas analizës së hollësishme të procesit zgjedhor dhe shqyrtimit të dëshmive, janë identifikuar elemente të veprave penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” dhe “Falsifikim i rezultateve të votimit”, transmeton Zeri.info.

Sipas Pecit, kallëzimi penal do të dorëzohet ndaj Baton Haxhiut, Berat Buzhalës, Lirim Mehmetajt, Visar Imerit, Ilir Mirenës, Valon Sylës, Ermal Pandurit, Valon Fekës, Shkumbin Kajtazit dhe të tjerëve, për “dyshime të bazuara në përfshirje në këto vepra”.

“Institucioneve të drejtësisë iu bëjmë thirrje për trajtim urgjent, të drejtë dhe meritor të këtyre krimeve. Gjatë ditëve në vijim do të paraqesim edhe fakte, argumente e dëshmi të tjera, të bazuara në deklarimet e qytetarëve dhe entiteteve të tjera”, ka deklaruar Peci.

Ai ka akuzuar disa media dhe individë se gjatë ditës së zgjedhjeve kanë ndërmarrë “veprime të sinkronizuara”, përmes shpifjeve dhe publikimit të “exit poll”-eve të paligjshme, me qëllim, siç thotë ai, “krijimin e konfuzionit dhe devijimin e vullnetit qytetar”.

“Transparenca është tipar që na dallon si individë, si politikanë e si parti politike. Respektimi dhe mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është parimi dhe prioriteti ynë kryesor”, ka shtuar ai. /Zëri