Gjykata u bën thirrje të dorëzohen tre serbëve të akuzuarve për krime lufte, cakton seancë gjyqësore ndaj tyre
Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundër të pandehurve Dushan Gavraniq, Zoran Sharac dhe Zharko Cvetanoviq, për shkak të veprës penale “Krimet e Luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtët kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Për këtë arsye gjykata u ka bërë thirrje të pandehurve Dushan Gavraniq, Zoran Sharac dhe Zharko Cvetanoviq që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.
“Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”.
“Njoftohen të pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë në Hajvali, Objekti D , Kati I, salla nr. 27, më datë 22.12.2025, nga ora 13:15, nga kryetari i Trupit Gjykues, Leon Përlaska”, thuhet në njoftim. /Zëri