Facebook mbyll faqen që Departamenti i Drejtësisë thotë se është përdorur për të ngacmuar agjentët e ICE-së
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tha të martën se Meta kishte përmbushur kërkesën e saj për të hequr një faqe në platformën e saj në Facebook, që agjencia tha se po përdorej për të ngacmuar agjentët e ICE në Çikago.
Në një postim në X, Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi tha se faqja ishte pjesë e një përpjekjeje për të "doksuar dhe synuar" afërsisht 200 oficerë të Imigracionit dhe Doganave që kanë mbërritur në qytet, si pjesë e fushatës së presidentit Donald Trump për zbatimin e ligjit për imigracionin. Doksim është ndarja e informacionit personal rreth njerëzve në internet.
Një zëdhënës i Meta konfirmoi se kompania e kishte hequr faqen nga platforma e Facebook për "shkelje të politikave tona kundër dëmit të koordinuar".
Apple më parë këtë muaj hoqi aplikacionet që u lejonin përdoruesve të gjurmonin lëvizjet e agjentëve të ICE, pas presionit nga administrata Trump.
Google gjithashtu ka bërë që aplikacione të ngjashme të mos jenë të disponueshme. Administrata ka kërcënuar të ndjekë penalisht krijuesit e aplikacioneve të gjurmimit.
ICE ka qenë qendrore në agjendën e ashpër të imigracionit të Trump. Agjentët e saj kanë bastisur dhe arrestuar rregullisht migrantë, dhe mbrojtësit e të drejtave thonë se liria e fjalës dhe procesi i rregullt ligjor shpesh po shkelen.
Administrata ka pohuar se protestuesit e krahut të majtë kanë ngacmuar dhe ndërhyrë rregullisht tek agjentët e ICE. Bondi nuk dha prova në postimin e saj në X për incidente specifike të lidhura me faqen e Facebook-ut.
Meta dhe firma të tjera teknologjike janë përpjekur të përmirësojnë marrëdhënien e tyre me Trump, që kur ai fitoi rizgjedhjen në nëntor.
Kompania kontribuoi 1 milion dollarë në fondin e inaugurimit të presidentit dhe hoqi programet e saj të diversitetit dhe verifikimit të fakteve.
Meta gjithashtu pranoi t'i paguante Trump 25 milion dollarë, për të zgjidhur një padi mbi pezullimin e llogarive të tij pas sulmit në Kapitol të SHBA-së më 6 janar 2021.
Prania e ICE-së në Çikago është rezistuar nga kryetari demokrat i qytetit, Brandon Johnson, dhe guvernatori demokrat i Illinois, JB Pritzker.
Më herët këtë muaj, Johnson nënshkroi një urdhër që u ndalonte agjentëve të ICE-së të përdornin pronat në pronësi të qytetit si zona përgatitore për operacione, dhe bizneset lokale kanë vendosur tabela që deklarojnë se lokalet e tyre janë të ndaluara për ICE-në.