Në Gjermani dështon marrëveshja për shërbimin ushtarak

Në debatin për shërbimin ushtarak në Gjermani duket se marrëveshja për të cilën kishin rënë dakord negociatorët e partive të koalicionit qeveritar CDU/CSU dhe SPD dështoi për momentin.

Sipas njoftimeve të medias brenda grupit parlamentar socialdemokrat kishte pasur rezistencë lidhur me ndryshimet në modelin e planifikuar të shërbimit ushtarak dhe prandaj edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e këtyre partive, ku do të jepeshin sqarime dhe detaje përkatëse, u anulua momentet e fundit.

Me sa duket brenda SPD-së ka pasur rezistencë ndaj sistemit të shortit të propozuar nga CDU/CSU. Ky sistem ishte menduar të hynte në fuqi, nëse për Bundeswehr-in do të regjistroheshin shumë pak vullnetarë. Një zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU tha: “Ne e anuluam konferencën për shtyp, sepse marrëveshja e synuar nuk u arrit edhe pse ne mendonim se do të arrihej.”

Debati mbi shërbimin ushtarak mbi baza vullnetare

Debati brenda radhëve të koalicionit ka të bëjë me pyetjen, nëse shërbimi i ri ushtarak që planifikon Gjermania duhet të mbështetet ekskluzivisht në rekrutimin vullnetar, siç kishte propozuar ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, apo nëse në ligj duhet të përfshihen edhe elementë të detyrueshëm.

Sipas propozimit të ministrit të Mbrojtjes Pistorius duke filluar nga viti i ardhshëm çdo i ri apo e re në Gjermani do të marrë një pyetësor nga Bundeswehr-i. Meshkujt duhet t’i përgjigjen, vajzat mund t’i përgjigjen këtij pyetsori. Në të pyetet se kush ka dëshirë të kryejë vullnetarisht shërbimin ushtarak dhe ata që shprehen pozitivish për këtë, më pas do të testohen.

Në radhët e CDU/CSU ka dyshime se Bundeswehr-i mund të rekrutojë personel të mjaftueshëm mbi baza tërësisht vullnetare, sikurse propozon ministri Pistorius.

Dhe gjatë fundjavës mediat njoftuan për përfshirjen e mundshme të një sistemi shorti në Projektligjin për Shërbimin Ushtarak. Ideja është që nëse nuk do të ketë një numër të mjaftueshëm vullnetarësh, mes personave që plotësojnë kushtet për shërbimin ushtarak do të hidhet një short për të përcaktuar se kush do të rekrutohet dhe, nëse është e nevojshme, personi do të rekrutohet për shërbim ushtarak për të paktën gjashtë muaj.

Aktualisht Bundeswehri gjerman ka 182.000 ushtare e ushtarë, por ka nevojë për 60.000 deri në 80.000 ushtarë të rinj shtesë.

Pezullimi i shërbimit ushtarak

Në vitin 2011 Gjermania e hoqi rekrutimin dhe shërbimin e detyruar ushtarak pasi Lufta e Ftohtë kishte kohë që kishte mbaruar. Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg, tha se shërbimi ushtarak nuk ishte shfuqizuar, por thjesht ishte pezulluar, sepse askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë pas 20 ose 30 vjetësh. Por nuk zgjati shumë dhe në vitin 2022, Rusia pushtoi Ukrainën. Pas kësaj lindën pyetje të reja, në thelb të vjetra: A mund të vetëmbrohet Gjermania dhe si do rekrutohen ushtarët? /DW