Arbër Emini akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Kllokot
Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të mbajtura në Kosovë.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, Emini ka shkruar se shumë qytetarë serbë janë detyruar nga autoritetet serbe që të votojnë me asistencë të orkestruar për Listën Serbe.
“Serbia nuk po ndalet së ndërhyri në punët tona të brendshme në Kllokot. Serbia ka cenuar rendin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës duke ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor”, ka shkruar ai.
Sipas Eminit, votues serbë janë detyruar të ndjekin direktivat e Beogradit, ndërsa procesi është shoqëruar me përdorim të verifikimeve mjekësore të falsifikuara për të mundësuar votimin me asistencë.
“Kjo është shkelje flagrante e sovranitetit dhe e të drejtës së lirë të qytetarëve për të zgjedhur. Veprimet e Serbisë bien ndesh me parimet demokratike dhe me të drejtën për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, ka shtuar Emini, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet e vendit.
Kllokoti pritet të shkojë në balotazh më 9 nëntor, ku do të garojnë Srpska Narodna Sloga me 34,79% të votave dhe Arbër Emini me 32,38%.