Rënia e blegtorisë rrezikon resurset e Sharrit

Resurset e shumta të Bjeshkëve të Sharrit ngelen të pashfrytëzuara, për shkak të rënies së numrit të bagëtive. Resurse të shumta të Bjeshkëve të Sharrit kanë ngelur të pashfrytëzuara, për shkak të rënies së numrit të bagëtive. Në komunën e Dragashit çdo vit e më pak banorë po e shfrytëzojnë mundësinë për t’u marrë me blegtori. Mbarështimi tradicional i kafshëve, që dikur zinte vendin kryesor në jetesën e banorëve të kësaj ane, dalëngadalë po kthehet në ferma e fermerë të mëdhenj.Komuna e Dragashit në vazhdimësi është njohur për rritjen dhe mbarështimin e blegtorisë. Treva e Opojës e kishte njërën ndër zejet tradicionale që mbante familjen.

"Personalisht kam 500 krerë, bashkë me vëllezërit 1300 krerë. Ka treg të mjaftueshëm, vetëm a ke prodhimtari. Meqenëse nuk ka fuqi punëtore, jemi duke e mbajtur numrin adekuat që e kemi", tha Emon Kolloni, blegtor.

Resurset natyrore të Maleve të Sharrit janë të shumta për këtë sektor.

"Ka kullota të mjaftueshme të pashfrytëzuara, meqenëse numri i deleve është në zvogëlim e sipër", theksoi Kolloni.

Kjo ka bërë që fermerët e kësaj komune të mos mund të mbijetojnë individualisht. E ata të tjerët të mendojnë për të ardhmen e biznesit të tyre, qoftë edhe si grumbullues të qumështit.

"Në disa fshatra janë eliminuar komplet fermerët e vegjël dhe janë krijuar fermat e mëdha, mirëpo në disa fshatra të tjerë ende ekzistojnë ata të blegtorisë tradicionale, ku ka ferma të vogla që krijojnë të ardhura për shumë familje", theksoi Burim Piraj nga shoqata Expo–Sharri.

E fermeri Alemi Hajredini ka theksuar se “përpara kanë pasur individualisht, tash janë ferma të mëdha, ata që i kanë, i kanë fermat e mëdha, i kanë bërë 30 apo 40 e 50 lopë, varet prej fermës si e kanë".

E sipas Burim Pirajt, në Opojë dhe Gorë produktet e qumështit janë organike, që mund të joshin edhe turistë.

"Barinjtë e këtej i dinë teknikat e përpunimit të qumështit për ta përfituar një djathë sa më cilësor, ndërsa i gjithë djathi që prodhohet këtu është organik, për arsye se delet kullotin në bjeshkë, të cilat nuk janë as të spërkatura, as të plehëruara me pleh artificial. Nga qumështi i cilësisë së lartë përfitohet edhe cilësi e lartë e djathit, kështu që kjo ka filluar të tërheqë turistë", tha Piraj.

Sipas fermerëve dhe Burim Pirajt, vështirësia kryesore me të cilën përballen blegtorët e kësaj ane është mungesa e infrastrukturës, pasi Malet e Sharrit janë shpallur Park Kombëtar dhe për këtë arsye nuk lejohet asnjë lloj punimi./rtk