Kosova U-19 fiton ndaj Armenisë, por pothuajse është eliminuar nga kualifikimet e Evropianit
Kombëtarja e Kosovës U-19 ka marrë një fitore të thellë ndaj Armenisë, mirëpo me shumë gjasë e ka gjetur eliminimin nga kualifikimet e Evropianit.
Kosova U19 fitoi 3-0 ndaj Armenisë U-19. Golat për Kosovën i shënuan Rin Ahmeti, Albert Rrahmani dhe Lirjon Abdullahu. Talenti i Prishtinës, Ahmeti shënoi në minutën e 12-të për 1-0.
Golin e dytë të ndeshjes e shënoi Rrahmani në minutën e 36-të, një gol i asistuar nga Lirjon Abdullahu. Ky i fundit shënoi golin e tretë të ndeshjes dhe të epilogut të takimit.
Kosova është në vendin e tretë në grupin e saj, ku bëntë pjesë edhe Gjermania e Norvegjia.
Kosova e mbylli këtë cikël kualifikues me tre pikë, duke shënuar tri gola e duke pranuar nëntë sosh.
“Dardanët” e rinj pësuan nga Norvegjia humbje të thellë prej 4-0, teksa nga Gjermania u mposhten edhe më keq, 5-0.
Kosovës i mbetet vetëm një gjasë për të kaluar në raundin tjetër të kualifikimeve, por që do të jetë shumë, shumë e vështirë.
Në tabelën e ekipeve të treta më të mira në 13 grupe, vendi i parë shkon tutje. Ky vend momentalisht i përket Kosovës, mirëpo në 11 grupe, ndeshjet do të zhvillohen muajin e ardhshëm.