Sulmoi policin, një muaj paraburgim për gjakovarin

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar.

Sipas kërkesës, “Më datën 13.10.2025, rreth orës 07:45, në rr. “Bardhyl Qaushi”, i pandehuri me dashje seriozisht kanos dhe më pas e sulmon fizikisht zyrtarin policor në lidhje me punën e tij zyrtare, të dëmtuarin Gj. H., në atë mënyrë që ditën kritike, derisa i pandehuri ndodhej në Motel “M.”, përballë vendit të ngjarjes ku kishte ndodhur një aksident trafiku dhe i dëmtuar ishte vëllai i tij, S. L., i revoltuar, derisa zyrtarët policorë ishin duke u marrë me rastin, i njëjti i afrohet zyrtarit policor Gj. H. dhe, duke bërtitur, e godet me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime trupore, ndërsa gjatë intervenimit lëndime në dorë pëson edhe zyrtari policor I. R., me ç’rast të dëmtuarve u shkakton lëndime trupore.”

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Sulmi ndaj personit zyrtar”, transmeton Zeri.info.

Tutje thuhet se, gjyqtarja e procedurës paraprake Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke iu shmangur procedurës, apo duke e përsëritur veprën penale.

“I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 13 tetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 12 nëntor 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim. /Zëri