Ferat Shala: PDK-ja s’do të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen, i ka sjellë dëme Kosovës

Pas dekretimit të Albin Kurtit nga presidentja Vjosa Osmani si mandatar për formimin e qeverisë së re, Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala, tha se Partia Demokratike e Kosovës as nuk ka pasur ide, as qëllim e as kurrfarë aktiviteti në lidhje me ndonjë koalicion, duke shtuar se qëndrimet e partisë janë të qarta.

“As nuk ka pasur ide, as qëllim as kurrfarë aktiviteti në lidhje me këtë, qëndrimet e Partisë Demokratike janë të njohura nuk kemi asnjë lloj koalicioni, as nuk planifikojmë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Shala tha se partia nuk ka ndërmend të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë koalicion qeverisës, për shkak të dëmeve që, sipas tij, kjo parti i ka shkaktuar Kosovës.

“Nuk besoj që Partia Demokratike, voton një qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka qenë deri tash në pushtet dhe Kosovës i ka pru izolim ndërkombëtar, sanksione evropiane, skamje dhe varfëri ekonomike dhe shumë dëme tjera që i ka sjell ekonomikisht dhe politikisht Kosovës”, tha ai për Front Online.