Osmani: Anëtarësimi në NATO, prioritet kyç i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar dje me presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet Kosovës dhe kësaj strukture të rëndësishme euroatlantike.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi Perestrello për nominimin e saj për Çmimin “Gratë, Paqja dhe Siguria”, si dhe për vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që t’i ndajë asaj këtë vlerësim.

Ajo theksoi se ky çmim përfaqëson jo vetëm një nderim personal, por një vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës që kanë kontribuuar në ndërtimin e paqes dhe demokracisë.

Në takim u diskutua edhe për rolin gjithnjë në rritje të Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit të fundit për avancimin e statusit të vendit në “anëtare të asociuar”. Presidentja Osmani e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Ajo rikonfirmoi se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës së saj për anëtarësim në NATO — një prioritet kyç i politikës së jashtme dhe një çështje me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit. /Zëri